Pal Lekaj flet fjalë të mëdha: Le të rrezohet Qeveria, nuk heqim dorë nga kushti ynë

E publikuar: 22/02/2018 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës, i cili vjen nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se partia në të cilën gjendet nuk është e gatshme që ta pranojë kushtin e LDK-së, për demarkacionin.
Ai në një përgjigje për Insajderi, tha se AAK-ja është në gjendje që të pranojë të rrëzohet qeveria, vetëm e vetëm që demarkacioni me kushtin e LDK-së, të mos kalojë.

“Ne në asnjë formë nuk e pranojmë kushtin e vënë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për demarkacionin. AAK, kompromisin më të madh e ka bërë në momentin që ka pranuar që kësaj ështje t’ia vënë aneks marrëveshjen në mes presidentit kosovar dhe malazez. Ne nuk pranojmë asnjë marrëveshje jashtë këtij aneks marrëveshje dhe raportin e komisionit të Shpejtim Bulliqit. Le të bjerë qeveria, le të bëhet çfarëdo, por jashtë këtyre gjërave nuk do të shkojmë. Sepse AAK nuk do i tradhtojë votuesit e saj, në asnjë formë”, ka thënë Lekaj.

Ndërkohë, Express ka raportuar se LDK është pajtuar që të mbetet pika kontestuese në nenin 3 të Projektligjit për Demarkacionin.

Por, partia opozitare ka kërkuar që raporti për demarkacionin e kufirit, i përpiluar nga komisioni shtetëror, që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi, të kategorizohet vetëm si dokument me qëllim informues.

LDK ka kërkuar që kjo të bëhet në mënyrë që ky raport të mos prodhojë asnjë efekt juridik./GazetaExpress/