Pakoja Fiskale 2.0 dokument i vdekur pa Udhëzime Administrative

E publikuar: 05/08/2017 14:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit po kërkojnë që prioritet i qeverisë së ardhshme të jetë pako e dytë fiskale, pasi ende mungojnë udhëzimet administrative që do të përcaktojnë saktë interesin e biznesit.

Pako e dytë fiskale e miratuar kohë më parë në Qeverinë e Kosovës, përbëhet prej listës së 22 masave. Një pjesë e saj ka hyrë në fuqi me vendimin e Qeverisë, ndërsa, diku 70-80 për qind e pakos fiskale do të bëhet me udhëzime administrative të cilat ende mungojnë.

Kurse, pjesa e cila nuk do të mund të implementohet derisa të krijohet Kuvendi i Kosovës është pjesa e ndryshimit të ligjeve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ndryshimet në pakove fiskale 1 dhe 2 i ka quajtur se ndryshimet më të suksesshme të kësaj Qeverie.

“Besoj që njëra ndër të arriturat më të mëdha të Qeverisë së fundit ka qenë përveç disiplinës financiare, ndaljes së tendero-manisë masive, ka qenë definitivisht pako fiskal 1 dhe 2. Për efektet e saj më së miri do ta argumentojnë vet bizneset të cilat kanë përfituar dhe janë avancuar. Dua të besoj që pakoja e 2-të e cila është miratuar në Qeverinë e Kosovës , duhet të jetë prioritet i parë i çdo Qeverie që do të vijë në të ardhmen, sepse vetëm në këtë mënyrë duhemi të jemi seriozë përball procesit të zhvillimit ekonomik , serioz përball sektorit privat. Duhet të jemi seriozë përballë ardhmërisë së shtetit që do të bazohet në fuqizim të sektorit privat, në veçanti të sektorit prodhues”, tha Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se ardhmëria e zhvillimit ekonomik në vend duket bazuar në sektorin privat dhe në gjenerim të vendeve të reja të punës në sektori privat.

Ismet Mulaj, drejtor ekzekutiv në Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka vlerësuar si një arritje të suksesshme të Qeverisë por që sipas tij mbete sfidë për oprocionalizimin e tyre me Udhëzime Administrative.

“Realisht pako fiskale 2.0 është një arritje goxha e madhe në interes të biznesit por sfidë e madhe do të jetë oprocionalizimi i saj me Udhëzime Administrative të cilat përcaktojnë saktë interesin e biznesit që e kanë për ketë pako fiskale. Si masë janë në rregull por nëse nuk oprocionalizohet me Udhëzime Administrative konkrete duke i listuar lëndën e parë që duhet të lirohet nga TVSH-ja, që duhet të lirohen të gjitha ato që iu janë premtuar biznesit, nëse nuk miratohen Udhëzimet Administrative, të cilat janë paraparë me pako fiskale, kjo është një dokument i vdekur. Po i kemi parë, masat janë me interes për biznesin parashihet të ndihmohet sektori i prodhimit në Kosovë. Po ashtu në një mënyrë të balancohet prodhuesi me importuesin por e gjitha kjo është në shprehje të vullnetit të Qeverisë”, tha Mulaj

Sipas tij, nuk kanë informacion nëse Ministria e Financave ka filluar që t’i konkretizojë udhëzimet administrative të cilat do të duhej të miratohen në të ardhmen.

Në ndër kohë ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë se është duke u punuar në disa Udhëzime Administrative në mënyrë që të fillojë implementimi i masave të reja sa më parë.

Sipas saj, për ndryshime ligjore që nevojitet të bëhen për këto masa i mbetet qeverisë së re.

“Ndër kohë po punohet në Udhëzimin Administrativ, për njohjen e prishjes, dëmtimit teknik apo evakuimit të produkteve, duke përfshirë këtu edhe humbjet teknike siç janë karburantet edhe produktet të tjera. Janë formuar grupet punuese, diku 70-80 përqind e pakos fiskale do të bëhet me UA dhe një pjesë e saj ka hy në fuqi me vendimin e Qeverisë. Pjesa e cila nuk do të mund të implementohet derisa të krijohet parlamenti është vetëm pjesa e ndryshimit të ligjeve. Besoj që kjo mandej është detyrim për parlamentin e ri me qenë se është bërë një kooperim të pilotë me komunitetin e biznesit. Thjeshtë nuk janë ide të cilat kanë ardhur nga Ministria e Financave dhe ministri të tjera, janë kërkesa një nga një të komunitetit të biznesit. Ne e dimë që komuniteti i biznesit do të jetë konsistonte edhe për Qeverinë e re ndaj kërkesave të tyre“, tha Bajrami.

Ndryshe sipas deklaratave të më hershme të ministrit në detyrë të Financave, Avdullah Hoti, si masë e parë dhe më e rëndësishme është lirimi nga tatimi doganor për gjitha produktet që konsiderohen si lëndë të parë për procesin e prodhim. Kjo nënkupton lirim të kostos së prodhimit për prodhuesit tanë rreth 10 përqindë. E dyta heqja e normës së akcizës në mazut për qëllime prodhimi, duke i përcaktua normativat e prodhimit që përdorin kompanitë. E treta është reduktimi nga 18 në 8 përqind i TVSH-së për aktivitetet kulturore, artistike, sportive, turistikët akomodim, rekreacion dhe përpunim të peshkut në Kosovës.

E katërt është Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore për nxitjen e investimeve në sektorë strategjikë të Kosovës siç janë bujqësia, turizmi dhe teknologjia informative e tjera.