Pajaziti: Regjistrimi në veri, i rëndësishëm

E publikuar: 30/05/2016 00:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie të Kuvendit të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se çdo vonesë e aprovimit të projektligjit që ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare në veri do ta vështirësonte mbajtjen e këtij procesi këtë vit.
Pajaziti ka thënë se është shumë e rëndësishme që brenda këtij viti të ndodhë regjistrimi zyrtar i popullsisë dhe ekonomive familjare edhe në komunat në veri pasi, sipas tij, herën e kaluar, për shkak të politizimit dhe ndërhyrjes së Beogradit, shumica e serbëve dhe komunave me shumicë serbe nuk u përfshinë në këtë proces.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se ky proces në veri është i rëndësishëm për të ditur se sa banorë jetojnë, si jetojnë dhe sa kanë pasuri, në të kundërtën nuk mund të planifikohet mirë zhvillimi i komunave.