Pacolli: Vetëm Isa Mustafa u përgjigjet ftesave që na bëhen për koalicion

E publikuar: 21/06/2017 16:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ftesave të Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion rreth themelimit të Qeverisë, drejtuar LDK’së mund t’iu përgjigjet vetëm Isa Mustafa. Kështu po thotë kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, i cili ka nënshkruar koalicion para zgjedhor me LDK’në si dhe Alternativën.

Kontaktuar nga Gazeta Express, lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka thënë se partia që ai i takon është duke i pritur rezultatet e certifikimit të zgjedhjeve nga ana e KQZ’së dhe pastaj do t’i shqyrtojnë ofertat rreth koalicioneve pas zgjedhore. Thotë se ftesave të krerëve të LVV’së për koalicion me LDK’në mund t’iu përgjigjet vetëm iniciuesi i koalicionit LAA, Isa Mustafa,.

“..nuk ka asgjë të re, ne jemi duke i pritë rezultatet e certifikimit. Kur të certifikohemi atëherë ne dalim me qëndrime. Vetëm Isa Mustafa si përgjegjës i koalicionit mundet me iu përgjigje ftesave e deklaratave të zyrtarëve të LVV’së”, ka deklaruar Pacoli.
Ndërkohë që pyetur nëse AKR do t’i bashkohet koalicionit PAN, Pacolli ka thënë se është komod në opozitë.

“Ne jemi komod që të shkojmë në opozitë.

E të dielën lideri i AKR’së, ka thënë për Express se është kundër zgjedhjeve të reja dhe kundër bllokadave të mundshme pas certifikimit. Thotë se qëndrimi i tij është krejtësisht në përputhje me partnerët e koalicionit, LDK’në e Alternativën. Mirëpo, thotë se pas certifikimit të zgjedhjeve dhe qartësisë elektorale do të flasin edhe një herë.

“Besoj se qytetarët janë lodhur duke dëgjuar teket e politikanëve. Qytetarët kanë votuar, kanë dhënë fjalën e vetë dhe në bazë të rezultateve që dalin nga vota e qytetarit duhet të bëhet zgjidhjet politike. Ky është mendim im personal”, pati deklaruar Pacolli.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, që në to, sipas KQZ-së morën pjesë pak më shumë se 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote./GazetaExpress/