Pacolli uron Surroin për nderimin që i bëri Kukësi

E publikuar: 28/03/2015 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se ndihet i kënaqur që Kukësi ka nderuar Veton Surroin.

“Sot i bashkohem dhe unë njerzve që e urojnë Vetonin për çmimin që ndau Qarku i Kukësit në nder të tij. Pavarësisht përplasjeve tona në të shkuarën, unë i them sinqerisht: Urime Veton për këtë çmim simbolik, që të ka dhënë një pjesë e Shqipërisë sonë, të cilën ne e kemi në zemër të gjithë, Kukësi bujar dhe fisnik”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, Pacolli e Surroi vazhdimisht janë përplasur mes vete.

Pacolli kishte treguar në një moment se Surroi i kishte thënë se do të përdorë gjithë fuqinë e tij për të mos lejuar që lideri i AKR-së të ngjitej në pozitën më të lartë shtetërore.

Lexojeni të plotë urimin e Pacollit të postuar në Facebook:

“Çdo nderim që ne marrim prej Shqipërisë, prej krahinave të ndryshme të saj është burim për emocione të veçanta. Ne jemi një komb dhe kështu do të jetë gjithnjë në jetë të jetëve, por Shqipëria ka përfaqësuar shumë për ne kosovarët në të shkuarën dhe vazhdon të përfaqësojë dhe sot. Ndaj unë e mirëkuptoj ndjenjat që ka provuar botuesi i madh Veton Surroi, ndërsa ka marrë çmimin “Nderi i qarkut të Kukësit”. Kukësi është vërtet zona më e varfër e Shqipërisë, por zona më bujare e saj, simbol i bashkimit të kombit në ditët e tmerrshme të eksodit të detyruar nga lufta e 1999.

Për të gjitha këto arsye, si dikush që i ka përjetuar gjithë emocion nderimet e marra nga Shqipëria në vite, sot i bashkohem dhe unë njerzve që e urojnë Vetonin për çmimin që ndau Qarku i Kukësit në nder të tij. Pavarësisht përplasjeve tona në të shkuarën, unë i them sinqerisht: Urime Veton për këtë çmim simbolik, që të ka dhënë një pjesë e Shqipërisë sonë, të cilën ne e kemi në zemër të gjithë, Kukësi bujar dhe fisnik!” (sic), ka shkruar Pacolli.