Pacolli: U kërcënova, prandaj hyra në koalicion me LDK-në

E publikuar: 27/05/2017 00:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është kërcënuar, gjë që ka ndikuar që të hyjë në koalicion me LDK-në.

Ai ka refuzuar të pranojë nëse është kërcënuar nga PDK-ja, megjithatë ka pranuar se ka mbajtur takim në rezidencën e tij me krerët e PDK-së para se të hynte në koalicion me LDK-në.

“Po, jam kërcënuar dhe kjo ka ndikuar që të hyjë në koalicion me LDK-në. Morra një mesazh në moment të fundit kur e morra këtë vendim. Por, s’kam hyrë për inatë të askujt”, ka thënë ai, derisa ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjen nëse është kërcënuar nga PDK-ja.

Marrëveshjen e nënshkruar me Isa Mustafën e ka pranuar në natën e fundit, por ka thënë se nuk do eci nën hije të tij.

Koalicionin me LDK-në ai e konsideron si të përshpejtuar, megjithatë edhe me VV kishte pasur takime të shumta qysh para 5 muajsh.

“Më vije keq që nuk jemi në koalicion edhe me VV”, ka thënë Pacolli, për të cilën thotë se nuk premtoi koha.

Pacolli ka thënë se kanë bërë dy sondazhe, që më pas kaluan pragun në çfarëdo forme, e më pas thotë se “diçka” e shpejtoi këtë koalicion që në fund vendosën të shkonin me LDK-në.

“Një ditë do ta mësoni arsyen se çfarë ka ndodhur, ishte natë e ndodhive të mëdha e këtë do ta mësoni në librin tim të cilin jam duke e shkruar”, tha Pacolli.

Ai kategorikisht ka mohuar se në të ardhmen do të ketë bashkëpunim me PDK-në.