Pacolli thotë se nuk ka krizë humanitare në veri që nga viti 1999

E publikuar: 25/06/2019 20:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duke demantuar mediat e Serbisë dhe autoritete e këtij shteti se po mundohen të inskenojnë krizë humanitare në Kosovë, ka thënë se “nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999, kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë”.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë, shkruan Exress.

” Qeveria serbe, mediat e kontrolluara në Serbi dhe politikanët kukulla të Beogradit në veri kanë filluar një fushatë lajmesh të rreme për të krijuar histeri kinse që ekziston një krizë humanitare në veri. Playbacku i Millosheviçit tani i dirigjuar, është i njohur për Kosovën. Ne do të kundërshtojmë këtë propagandë që ka për qëllim krijimin e tensioneve dhe incidenteve në Kosovën veriore. Nuk ka krizë humanitare që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova dhe nuk do të ketë kurrë një krizë të tillë”.

Ai ka thënë se Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj.

“Kosova do të kujdeset për të gjithë qytetarët e saj. Në Kosovën veriore ka mjaft produkte dhe medikamente. Unë i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të monitorojnë këtë përpjekje nga Serbia për të destabilizuar Kosovën dhe ta dënojnë atë”, ka shkruar ai.