Pacolli takon përfaqësuesen e Ambasadës amerikane, pranon letrat e urimit nga Trump dhe Tillerson

E publikuar: 19/01/2018 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim të rregullt pune të Ngarkuarën e Përkohshme me Punë njëherësh Zëvendës-shefen e Misionit Diplomatik amerikan në Kosovë, znj Collen Hyland, e cila i ka dorëzuar letrat e urimit për festat e fund vitit nga Presidenti amerikan, Donald J. Trump dhe homologu i tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson, shkruan Lajmi.net.

Në kuadër të këtij takimi, Ministri i Jashtëm Pacolli dhe diplomatja amerikane, Hyland kanë diskutuar mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve të fundit politike në vendin tonë dhe janë konsultuar mbi nevojën e bashkërendimit dhe koordinimit të hapave dhe veprimeve të përbashkëta për periudhën në vijim, me theks të veçantë në çështjet, që ndërlidhen me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.

“Ishte kënaqësi e veçantë, që të pranojë letrat e urimit për festat e fund vitit nga Presidenti amerikan, Donald J. Trump dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex W. Tillerson. Mbështetja e palëkundur dhe e fuqishme amerikane ndaj shtetit të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet jetike për Kosovën, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, nëpërmjet integrimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës. Kosova lindi, u zhvillua dhe integrua në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve falë mbështetjes së fuqishme dhe konsistente nga aleatët dhe partnerët e saj strategjik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne, kemi ditur të zgjedhim orientimin tonë strategjik në kohët më të vështira dhe këtë rrugë do ta ndjekim edhe në të ardhmen. ”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.