Pacolli takon Lordin Amad, flasin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

E publikuar: 09/07/2018 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në margjina të samitit të “Procesit të Berlinit”, i cili po mbahet në Londër ka takuar edhe Përfaqësuesin Special të Kryeministres britanike për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte, njëherit Ministër i Shtetit për Komonuelth dhe Kombe të Bashkuara, Lordin Ahmad.
Kryediplomati kosovar e ka njoftuar Lordin Ahmad në lidhje me adresimin e çështjes së trajtimit të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke e falënderuar këtë të fundit për përkrahjen e madhe dhe konkrete që Mbretëria e Bashkuar nëpërmjet Ambasadës Britanike në Prishtinë ka dhënë në sensibilizimin e kësaj çështjeje dhe për realizimin e të drejtave ligjore.

“Dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një prej plagëve më të mëdha, që vazhdon të rëndojë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë kosovare edhe sot e kësaj dite. Institucionet dhe shoqëria civile në Kosovë, që nga paslufta janë angazhuar fuqishëm dhe kanë pasur koordinim të afërt në trajtimin e kësaj çështje shumë sensitive për viktimat, por edhe për rrethin e tyre dhe krejt shoqërinë kosovare”, ka thënë Pacolli.

Ai po ashtu ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së mëtutjeshme të shtetit britanik për senzibilimin e opinionit ndërkombëtar lidhur me këto krime brutale të forcave serbe me qëllimin e parandalimit të tyre në të ardhmen kudo në botë si dhe në nxitjen e ballafaqimit me drejtësinë të kryerësve të këtyre krimeve të rënda.

Në këtë drejtim, ai ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e nismave ndërkombëtare për parandalimin e dhunës seksuale në konflikte dhe luftëra.

Sipas organizatave jo-qeveritare që përfaqësojnë viktimat, besohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimeve seksuale.

Të NgjajshmeVetëvendosja denoncon klerikët serbë Presidenti i UEFA-s uron Agim Ademin Shqetësime te Kroacia, mungojnë tre lojtarë në stërvitje Vuçiq bisedoi shkurt me Thaçin në Ankara, thotë se diskutimet e vështira do të bëhen në Bruksel Imazhe nga arkivat, kështu dukej Robert Berisha para se të bëhej i njohur për publikun Gjëja e fundit që e dëshiron Perez para se Ronaldo të transferohet te Juventusi