Pacolli: Pse nuk mobilizohet shteti, ndaj dhunuesve të mjedisit? (Foto)

E publikuar: 20/05/2015 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, është shprehur i shqetësuar për dëmtimin e vazhdueshëm që po i bëhet mjedisit në Kosovë. Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova është vendi jonë, pasuria jonë që Zoti na e dha. Ish-presidenti i Kosovës ka thënë se malet e Kosovës janë mbushur me gurthyes e lumenjtë po shfrytëzohen barbarisht.mbeturina999684_n

Ky është postimi i plotë i Pacollit:
Pse nuk mobilizohet shteti, autoritetet fetare, shoqëria civile ndaj dhunuesve të mjedisit? Pse kështu e kuptojmë lirinë, si të drejtë për të shkatërruar mjedisin, shtëpinë tonë të përbashkët?
Italia, një shtet me standarte të larta të ruajtjes së mjedisit, me traditë shoqërore të ruajtjes së mjedisit, ashpërsoi edhe më shumë me ligj dënimin e atyre që dëmtojnë dhe abuzojnë me ambientin. Në raste të veçanta, çdokush që dëmton sadopak ambientin, akuzohet penalisht dhe pos dënimit, cilidoqoftë ai, shkelësi i ligjit duhet të bëjë bonifikimin e plotë të asaj që ka dëmtuar.
Një ashpërsim i tillë ligji, më sjell ndërmend sesa mendjelehtë jemi ne, në Kosovë, populli më i ri i Europës me mjedisin tonë.
Kosova, vendi jonë, pasuria jonë që Zoti na e dha, vazhdon të dëmtohet egërsisht prej abuzuesve të mjedisit. Malet janë mbushur plot gurthyes. Lumenjtë po shfrytëzohen barbarisht për përdorim të zallit për ndërtime e si rezultat i kësaj, niveli i ujërave nëntokësore bie pa fund duke provokuar thatësi të tokës.
Tokat pjellore po përdoren gjerësisht për ndërtime të egra pa kurrfarë plani.

Mbeturinat po depozitohen kahmos nëpër deponi të improvizuara.
Kanalizimet praktikisht janë të vjetruara dhe shkaktojnë sëmundje të pashueshme. Edhe plot dhunime të tjera.

Të gjithë këto dhunime, këto abuzime në emër të fitimit afatshkurtër, nga njerëz të veshur me pushtet, apo që e shesin firmën e tyre zyrtare, janë duke dëmtuar të ardhmen tonë, të fëmijëve tonë, të ardhmen e brezave. Jemi duke prerë degën e pemës ku jemi ulur.
Po shtojmë mundësitë për sëmundje kronike, për sëmundje fatale, po dobësojmë esencën e një kombi, shëndetin e tij fizik dhe mendor.
Kjo që po ndodh është abuzimi më i madh me lirinë dhe pavarësinë. Pse kështu e kuptojnë lirinë dhe pavarësinë dhunuesit e mjedisit?
A do të thotë dikush ndal në mënyrë të organizuar kësaj masakre? Nuk jemi në vitet e para të lirisë, kur shteti ishte ende i dobët.
Pse nuk mobilizohen me aksione kundër këtyre abuzimeve organizmat e shoqërisë civile?
Po autoritetet fetare pse nuk flasin për këtë shkatërrim që i bëhet kopshtit të cilin Zoti na fali? Ju që keni mundësi me fol me pjesën e pjekur të popullsisë, pse heshtni për këtë dramë kaq të keqe e të madhe ?
Dhe më në fund, faktori më i rëndësishëm, institucionet. Po shteti, pse nuk vepron dhe pse nuk ashpërson dorën e vet ndaj dhunuesve duke zbatuar në praktikë ligjin ekzistues, apo duke ashpërsuar masat ndaj shkelësve? Apo jemi më të zgjuar se italianët dhe gjithë shtetet që veprojnë drejt ndaj këtyre dukurive?
Ju lutem veproni se fëmijët tonë do të na mallkojnë!
Ju pjesëtarë të qeverisë së kaluar,a e dini si vepruat për të penguar implementimin e ligjit për lumenjtë të cilin e sjellem për miratim me ministrin e atëhershëm të ambientit? Bëtë çmos që mos të ndodhë implementimi se është dashtë të ndalen shumë gurthyes e uzurpatorë të lumenjve.
Ndaleni dorën se natyra nuk është ekskluzivitet i juaji e as i yni. Është i brezave, është i kombit.