Pacolli: Partitë të kandidojnë me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje

E publikuar: 22/12/2020 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i jep të drejtë kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje se Qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë të parregullt dhe se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se vota e një deputeti nuk është e ligjshme dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Këto janë kohërat më sfiduese politikisht të Kosovës, dhe tani ne kemi nevojë për pjekuri dhe respekt për vendimin e sotëm për të shkuar në janar në zgjedhje. Unë u bëj thirrje të gjitha partive që të kandidojnë me një vizion që e bën Kosovën më mirë se sot dhe jo me urrejtje dhe inate. Ne kemi nevojë për qartësi, prosperitet dhe stabilitet për Kosovën tani më shumë kurrë”, shkruan Pacolli.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim sonte pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje mbi votën kontestuese të deputetit Ethem Arifi në ditën e zgjedhjes së Qeverisë Hoti më 3 qershor, sipas së cilës vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditësh.