Pacolli në Mitrovicë: Kosova ka nevojë për zhvillim. Ka ardhur koha që programi ynë të implementohet

E publikuar: 03/06/2017 14:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Programi i qeverisë së ardhshme të Kosovës në krye me ekspertët tanë dhe kryeministrin Avdullah Hoti, do të jetë program që krijon jetë më të mirë për qytetarët dhe që krijon vende të punës e perspektivë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë  Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, në tubimin madhështor të koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, që është mbajtur sot në qytetin e Mitrovicës.

Në këtë tubim lideri i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, shprehu mbështetjen e tij të pa rezerve që do t’i ofroje kandidatit për kryeministër, Avdullah Hoti.  “Nga këtu fuqishëm deklaroj se do të bëj çdo gjë që është në limitin e mundësive të mia për ta mbështetur z.Hoti drejtë udhëheqjes së qeverisë së ardhshme, duke qenë i bindur se kjo do të jetë qeveria më korrekte, e cila do të punojë për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Presidenti Pacolli iu bëri thirrje qytetarëve që me datën 11 qershor, ta mbështesin koalicionin e shpresës, sepse ky sipas tij, është koalicioni që do ta kthejë Kosovën në binarë të civilizimit dhe ardhmërisë.

“Ne kemi program të përbashkët të cilit tani i ka ardhur koha të implementohet, nuk kemi kohe për të humbur ashtu siç kemi humbur për 18 vjet.  Kërkoj nga ju që të gjithë të dilni të votoni për këtë mision të rëndësishëm, për këtë kthesë që të gjithë duhet ta bëjmë ” u shpreh presidenti Behgjet Pacolli.

Ndërsa kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, Avdullah Hoti premtoi rritje ekonomike dhe zbatim të programit i cili siguron pagë dhe pensione dinjitoze, arsim e shëndetësi të denjë dhe zbatimin e ligjeve te sigurisë.

Qytetarët me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, njëherit kandidat i koalicionit për deputet, ndërsa bashkë me të është prezantuar edhe kandidati tjetër nga radhët e AKR-së, Jeton Ujkani, i cili po ashtu vjen nga qyteti i Mitrovicës.