Pacolli në Gambi, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

E publikuar: 05/12/2018 19:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, po qëndron në Gambi, në kuadër të një turneu të vogël në kontinentin afrikan, me qëllim avancimin e marrëdhënieve me vendet afrikane.
Pacolli takoi presidentin e Gambisë, Adama Barrow, i cili i konfirmoi përkrahjen e tij për Kosovën, në rrugën e përpjekjeve të saj për thellim të marrëdhënieve me këtë vend, si dhe me vendet tjera të kontinentit afrikan, bën të ditur një njoftim nga MPJ.

Barrow po ashtu premtoi përkrahje të palëkundur të vendit të tij në të gjitha proceset e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, thekson njoftimi.

Pacolli po ashtu është takuar me homologun e tij në Gambia, Mamadou Tangara, i cili i kishte komunikuar njohjen e Kosovës nga Gambia vite më parë. Pacolli dhe Tangara u pajtuan të identifikojnë fushat e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve, bën të ditur MPJ.

“Si rezultat i komunikimit intensiv që i ka paraprirë kësaj vizite, Pacolli dhe Tangara nënshkruan marrëveshjen, që do të thellojë marrëdhëniet politike dhe diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Gambisë. Gjatë kësaj vizite, Gambia rikonfirmoi përkushtimin ta mbështesë Kosovën në të gjitha qëllimet e saj diplomatike, dhe në këtë kontekst ministri Tangara premtoi që së shpejti do ta vizitojë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Sipas MPJ’së, “ky mini-tur diplomatik ka për qëllim edhe të informojë vendet afrikane përkitazi me zhvillimet në rajonin e Ballkanit, dhe veçanërisht t’i shërbejë komunikimit konstruktiv përkundër lajmeve të rreme, të cilat disa akterë të papërgjegjshëm i projektojnë me qëllim dëmtimin e marrëdhënieve mes vendeve të pavarura dhe sovrane”.