Pacolli merr porosi në Bruksel për demarkacionin

E publikuar: 20/03/2018 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli ka marrë edhe një mesazh nga Brukseli për votim të demarkacionit me Malin e Zi.

Igor Soltes, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian ka takuar Pacollin derisa ky i fundit në Bruksel u takua edhe me ereurodeputeten, gjithashtu raportuese për Kosovën, Tanja Fajon.

Liberalizmi, demarkacioni, dialogu me Serbinë, zhvillimi ekonomik, ishin tema të tjera.

Fajon siç njofton MPJ, shprehu vullnetin për ta mbështetur Kosovën në këtë fazë të zhvillimit, duke mbetur kështu një mike e madhe e Kosovës.

Seria e takimeve vijoi me njërin nga drejtuesit e Grupit Parlamentar Popullor, zëvendëskryetarin, Andrej Kovacev.

“Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën si ka bërë prej Pavarësisë deri në ditët e sotme, kur ajo udhëheq Bashkimin Europian”, i tha Andrej Kovacev, ministrit Pacolli.

Kryediplomati kosovar e falënderoi eurodeputetin “nga thellësia e zemrës për mbështetjen bullgare, megjithë pozicionin delikat ka ky vend në rajon”.

Biseda vijoi me tema të tjera që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe, votimin e demarkacionit në Parlament, marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e tjerë dhe trajtimin e pakicave në Kosovë.

Më pas, ministri Pacolli, takoi dy drejtues të Grupit liberal në Parlamentin Europian, z. Hans Van Baalen, Kryetar i grupit parlamentar të ALDE dhe Ilhan Kyuchyuk, Zv/Kryetar i këtij grupi. “Jemi krenarë që një pjesë e madhe e qeverisë së Kosovës janë liberalë”, tha kreu i këtij grupi aleat të AKR-së dhe mik i Kosovës.

Ai e pyeti ministrin Pacolli në mënyrë të veçantë për ekonominë, me theks eksportet e Kosovës, dhe shefi i diplomacisë kosovare, e njohu atë me disa prej karakteristikave kryesore të trendeve të sotme zhvillimore në vend.

Ministri kërkoi ndihmën e bashkëbiseduesve kundrejt vendeve të BE’së që nuk e kanë njohur Kosovën, duke marrë premtimin për angazhimin e tyre në këtë drejtim.

Pacolli gjithashtu takoi drejtues të një kompanie të madhe gjermane, të interesuar për të zhvendosur fabrikat e veta në Kosovë. Pacolli i inkurajoi ata të vinin në Kosovë, në një mjedis biznesi shumë pozitiv.