Pacolli kërkon liberalizimin e vizave: Jepni fund një izolimi paradoksal

E publikuar: 28/03/2019 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga institucionet e Bashkimit Evropian që të ndjekin shembullin e Parlamentit Evropian, kështu duke liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës.

Përmes një shkrimi në Facebook, Pacolli tha se lëvizja e lirë në Evropë, është e drejtë themelore njerëzore.

“Përkrahje e lartë e Parlamentit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave. Është koha që edhe institucionet tjera bashkëvendimmarrëse të Bashkimit Evropian, të respektojnë verdiktin e këtij tempulli të demokracisë evropiane. Në fakt, përmbushja e kritereve nga ana e Republikës së Kosovës, ka qenë përkushtimi i ynë për tu bërë pjesë e një komuniteti më të madh demokratik, familjes së vendeve demokratike. Liberalizoni vizat, lëvizja e lirë në Evropë, është e drejtë themelore njerëzore. Mos na ndalni rritjen demokratike të vendit tonë të ri, jepni fund një izolimi paradoksal”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, Parlamenti Europian ka votuar në favor të heqjes së regjimit të vizave për Kosovën. Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Europian do të mbahen në muajin maj.