Pacolli: Ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh po merr mbështetje çdo ditë e më shumë

E publikuar: 15/10/2018 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka komentuar temën më të përfolur të kohëve të fundit – idenë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufirit me Serbinë.
“Unë këtë çka po e dëgjoj edhe në vizitat dhe takimet që presidenti Hashim Thaçi ka nëpër botë, në fillim më është dukur si një çështje e paarritshme, një gjë që flitet dhe pak e çuditshme”, ka thëne ai.

“T’iu them të drejtën po e shoh se çdo ditë e më tepër po merr mbështetje kjo ide. Nuk e di çka mendohet në korrigjimin e kufijve por unë e kuptoj si një demarkacion. Demarkacion është edhe kur 1 m ose 10 km korrigjohen”, ka shtuar Pacolli.

“Si ide e tillë, unë e di, sot, një numër i madh i kosovarëve e kuptojnë si një gjë normale – ndërrimin e territoreve që nuk i kemi kontrolluar dhe nuk do t’i kontrollojmë as në të ardhmen për territoret që janë me njerëz të gjakut dhe gjuhës tonë”.

Pacolli në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se serbët nuk do t’i japin përkrahje kësaj ideje.

“Serbët nuk do ta mbështesin për arsye se serbët kanë synime të tjera në Kosovë dhe nuk do ta mbështesin këtë ide. Në njërën anë, janë këto dëshira ose ideja e Thaçit që çdo ditë e më tepër po has në mirëkuptim dhe nga ana tjetër, Serbia që ka folur njëherë për ndërrim të territoreve dhe tash po duket se është tërhequr”.

Zëvendëskryeministri i parë ka bërë të ditur se në muajin nëntor do të ketë një takim trilateral mes tre presidentëve homologë – atij të Kosovës, Serbisë dhe Francës.

“E di se do të ketë takim në muajin nëntor, mes Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiqit, si dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe do të diskutohet kjo për shkak se edhe gjatë takimit që pati presidenti Hashim Thaçi me Emmanuel Macron,në Samitin e Frankofonisë, është diskutuar një gjë e tillë”.

“Vet presidenti [Emmanuel Macron] thotë ecni përpara, mos pushoni. Bashkësia Ndërkombëtare nuk mund të durojë një problem të pazgjidhur në Ballkan dhe Evropë dhe ju inkurajoj ecni përpara”.

“Ai na ka thënë bisedoni dhe ecni përpara, keni mbështetjen e Francës”.