Pacolli i del në mbrotje KFOR-it për vizitën e kriminelit Dikoviq në Kosovë

E publikuar: 23/11/2015 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për dallim nga pjesa dërrmuese e opinionit kosovar, e ka arsyetuar ftesën që KFOR-i i ka bërë shefit të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, për të qëndruar në Prishtinë.

Pacolli duke komentuar këtë rast përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se Dikoviq me qëndrimin e tij në Prishtinë, e ka kuptuar se pasardhësi i tij do ta ketë të pamundur të kthehet me ushtri në Kosovë.

Kështu shkruan Pacolli:

Jam plotësisht dakord me gjithë reagimet ndaj shefit të shtabit të ushtrisë serbe që vizitoi Kosovën, gjegjësisht instalimet e KFOR-it në Kosovë.

Dikoviq është një figurë famëkeqe, e akuzuar prej vetë aktivistëve serbë të lirive dhe të drejtave të njeriut. Dikoviq duhet të ishte në gjyq ose mbas hekurave nëse do bëhej drejtësi e plotë. Ndaj ai mund ta kursente këtë vizitë megjithëse nuk besoj se ka fituar diçka prej saj. Ai, drejtues i një ushtrie të mundur u takua sërish me mundësit e tij. Dikoviq, i rikthyer në vendin e krimit duhet të jetë ndjerë i poshtëruar ndërsa ka parë një Kosovë tjetër nga ajo që ai sundonte deri në vitin 1999, kur u largua me turp prej saj.

Ata ushtarë perëndimorë që e nxorën jashtë me bomba, e poshtëruan sërish kur e kthyen Dikoviqin të shikonte një Kosovë ku serbët nuk bëjnë më ligjin e aparteidit mbi shqiptarët.
Me siguri duke parë instalimet e KFOR-it në Kosovë, shtabin e tij, ndërlidhjen e KFOR me qendrën e NATO-s në Bruksel, forcën reaguese të KFOR ndaj çdo sulmi të jashtëm, Dikoviq ka kuptuar drejtpërdrejt se pse ai, apo çdo pasaardhës i tij e ka të pamundur përfundimisht të rikthehet me ushtri në Kosovën e lirë.
Për të gjithë këto arsye, ndërsa i mirëkuptoj reagimet ndaj Dikoviqit, nuk i kuptoj shumë reagimet kritike ndaj KFOR-it, çliruesit të vërtetë të Kosovës dhe ruajtësit kryesor të sigurisë së kufijve të saj.
KFOR-i e poshtëroi edhe njëherë Dikoviqin, megjithëse jo me bomba në kokën e tij.