Pacolli fton takim urgjent të liderëve: Koha nuk pret, është momenti i vendimeve të mëdha

E publikuar: 19/02/2019 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se populli i Kosovës duhet të jetë mirënjohës ndaj ShBA-ve gjithmonë, duke pasur parasysh miqësinë që ka Kosova dhe Amerika. Ai ka shtuar se miqësitë ndërmjet shteteve kanë nevojë për veprime të përditshme që të mbijetojnë dhe të jenë afatgjata

Këto komente Pacolli i ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se me letrat e Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, apo dhe me letrat e tre institucioneve kryesore të SHBA-ve është vërtetuar qartë se ShBA e do përkryerjen e shtetndërtimit të Kosovës.

“Kjo përfshirje e SHBA-ve që dëshiron forcimin tonë, integrimin tonë, njohjen tonë prej Serbisë, është një bekim për ne! Kjo duhët të kuptohet posaçërisht dhe të mbahet parasysh!!! Nga ana tjetër, ne nuk jemi qendër e botës dhe as kemi për të qenë ndonjëherë, ndaj duhet ta vlerësojmë lart këtë pozicionim të radhës nga SHBA-të në favorin tonë”, ka shkruar Pacolli.

Ai tutje thekson se duhet të gjendet një zgjidhje, që të respektohet çdo kërkesë e miqve të Kosovës që është në të mirë të vendit. E përmes shkrimit të tij, Pacolli i ka ftuar liderët që të takohen dhe të koordinojnë veprimet të cilat shkojnë në interesin e miqësisë me aleatët e Kosovës.

“Ne, gjithë institucionet tona duhet të flasim me një zë si na kërkoi Presidenti Trump. Këto letra brenda një kohe kaq të shkurtër, mesazhet e tyre në përputhshmëri me njeri tjetrin, janë rast që ne të forcohemi mes vete dhe jo të ndahemi! Ndaj unë ftoj për një takim të përbashkët, urgjente të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës me miqtë tanë të SHBA-ve dhe të perëndimit për të kordinuar veprimet tona, cilat do qofshin ato por që shkojnë në interesin e miqësisë më aleatet tonë përendimor dhe në interesin kombëtar. Koha nuk pret, është momenti i vendimeve të mëdha”, ka theksuar Pacolii në postimin e tij./