Pacolli emëron kundërligjshëm katër konsuja

E publikuar: 24/10/2018 08:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër konsuj janë emëruar jashtëligjshëm nga Behgjet Pacolli, ministër i Punëve të Jashtme. Një nga ta është anëtar i Kryesisë së partisë që udhëheq me Qeverinë, tjetri kandidat për kryetar komune i një subjekti politik në koalicion, një konsull kishte dështuar paraprakisht të bëhej ambasadore, ndërsa tjetra është vetëm 23-vjeçare.

Gazeta ka siguruar të martën vendimet e firmosura nga Pacolli për këta katër konsuj të ri: Kadri Balën, Lutfi Bilallin, Xheraldina Rexhepin dhe Modesta Imerin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Asnjë nga ta nuk kishin kaluar rrugën e gradimit që parasheh ligji. Kjo ka bërë që të reagojë Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm, sipas së cilës, nëpërmjet vendimeve të kundërligjshme, Pacolli ka thelluar edhe më politizimin e korit diplomatik.

Lutfi Bilalli është emëruar konsull më 15 tetor. Ai është caktuar të shërbejë në Konsullatën e Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, për një mandat 4-vjeçar. Punën e re, sipas vendimit, do të duhej ta niste që nga fillimi i këtij muaji.