Pacolli drejt koalicionit me Haradinajn e Veselin

E publikuar: 20/08/2017 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ia ka hapur rrugën vetes për të bërë koalicion me Ramush Haradinajn e Kadri Veselin. Edhe pse kishte rezistuar për më shumë se dy muaj, ish-presidenti i Kosovës pritet të bëhet bashke me PAN’in dhe të formojë Qeverinë. Dikush ka thënë se AKR’së do t’i takojnë të paktën pesë Ministri përfshirë atë të Punëve të Jashtme.
Behgjet Pacolli aq shumë ishte mishëruar në koalicionin me LDK’në saqë nuk e lëshonte prej goje asnjëherë Ibrahim Rugovën. Thoshte se është kthyer në shtëpinë e ish-Presidentit të Kosovës, trupi i të cilit prehet në varrezat në Velani.

Por, duket se raportet vëllazërore me udhëheqjen e LDK’së po marrin fund.

Behgjet Pacolli po e nis një rrugëtim të ri. Tash, në krah të Ramush Haradinajt e Kadri Veselit. Ky i fundit në një emision televiziv në Shqipëri e kishte quajtur Pacollin të dështuar në politikë e të suksesshëm në biznes.

Tash, Pacolli ka marrë edhe bekimin e organit më të lartë partiak, Kuvendit të Përgjithshëm të ARK’së, për të gjetur zgjidhje për bllokadën politike, në të cilën ndodhet Kosova prej certifikimit të zgjedhjeve.

Kuvendi i AKR-së, autorizoi Behgjet Pacollin që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe me kryesi të shoh mundësi të gjetjes së daljes nga kjo krize, edhe jashtë LDK-së dhe Alternativës, dhe kjo në interes të Kosovës.

Sidoqoftë, Pacolli pritet të ketë sukses në ndarjen e pozitave në Qeveri. Dikush i përmendi se AKR do të ketë së paku pesë ministri. Por, e sigurt është se Pacolli do ta ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Nuk është herë e parë që Pacolli bën koalicion me partitë e udhëhequra prej njerëzve që ka qenë prijës në luftën e fundit.

Më 2011, Pacolli ishte bërë President i Kosovës, për një muaj, falë koalicionit me PDK’në. Mirëpo, zgjedhja e tij në krye të Shtetit ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sidoqoftë, Pacolli kishte vazhduar koalicionin me PDK, duke marrë pozitën e Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e udhëhequr prej Hashim Thaçit, shkruan Gazeta Express.

Në zgjedhjet e vitit 2013, Pacolli dështoi ta kalonte pragun zgjedhor dhe mbeti jashtë parlamentit, duke mos pasur mundësi të bënte asnjë veprim politikë për të shpëtuar PDK’në.

Lideri i AKR’së kishte propozuar Qeverinë gjithëpërfshirëse, por ishte kundërshtuar nga të gjitha partitë. I kishte dhënë ultimatum LDK’së të bëjë koalicion me VV’në për të ndërtuar Qeverinë. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar se do të bëjë veprime të ndara nga koalicioni me të cilin fitoi katër deputetë.

Në gjithë këtë situatë, përsëri në krah të Pacollit nuk janë gjithë deputetët e AKR’së. Korab Sejdiu ka thënë se edhe nëse partia vendos të shkojë me PAN, ai nuk do ta bëjë një gjë të tillë./GazetaExpress/