Pacolli akuzon Haradinajn: E ndryshove trasenë e rrugës Gollak – Gjilan kur unë isha jashtë vendit

E publikuar: 22/02/2018 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli është ankuar se është ndryshuar traseja e rrugës së planifikuar për t’u ndërtuar që shkon nga Gollaku në Gjilan. Gjithçka, sipas tij, ka ndodhur, kur ai ishte i angazhuar me udhëtime jashtë vendit. Pacolli thotë se kjo rrugë për të është aq e rëndësishme pasi ka qenë edhe pjesë e dakordimit me kryeministrin kur është formuar Qeveria. Pacolli i kërkon Haradinajt që të marrë masa urgjente që të mos ndryshojë asgjë
Ky është shkrimi i plotë i Pacollit:

Ndërrimi i trasesë së autostradës privon qasjen e një pjese të madhe të Gollakut nga qasja në këtë rrugë.

Në kohën e qeverisjes 2011-2014, është paraparë zgjerimi i rrugës ekzistuese në katër korsi, nga Veterniku drejt pallatit të drejtësisë, në pjesën e majtë të Liqenit, Suteskë, Slivovë, Llabjan, Bresalc, Gjilan.

Qytetarët e asaj pjese duhet ta kenë këtë rrugë, që përveq se do tu shërbejë njerëzve që jetojnë atje, do jetë edhe nxitje e madhe e kthimit të popullatës, që tani janë duke u braktisur atë zonë.

Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë pjesë e një dakordimi edhe me kryeministrin kur është formuar qeveria e Kosovës. Për shkak të angazhimeve të mija jasht vendit, fatkeqêsisht është devijuar traseja krejtësisht në drejtim tjetër dhe Gollaku ka mbetur i privuar nga e drejta për të pasur qasje në infrastrukturë moderne rrugore.

Shpresoj shumë që kryeministri do të ndërmarrë masa urgjente për evitimin e këtij dëmi që po i bëhet Gollakut por edhe buxhetit të Kosovës, duke pasur parasysh se rindërtimi i rrugës, në trasenë e lartpermendur do të kushtonte shumë më lirë se sa andaj kah është planifikuar./express/