OVL – UÇK: Për heqjen e flamurit nga Qeveria, kërkojmë unitet politik

E publikuar: 05/06/2020 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është deklaruar për herë të parë për heqjen e flamurit të UÇK-së nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në reagim OVL UÇK kërkon të ketë unitet politik në vend.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka përcjellur zhvillimet politike në Kosovë dhe ka kërkuar nga partitë që për hirë të çështjes së përgjithshme të kenë unitet politik, sepse kjo po shkakton edhe përçarjen në popull e që për ne është e papranueshme.

Kohëve të fundit, jemi duke parë vendosjen dhe heqjen e flamurit të UÇK-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, prandaj e ndjejmë si obligim që për këtë çështje të japim qëndrimin tonë:

Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, në memorialet, komplekset, lapidarët e dëshmorëve, akademitë dhe muzetë e luftës, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën.

Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe i bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike” thuhet në reagim.