OVL-UÇK kërkon nga Qeveria të ndal dialogun me Serbinë

E publikuar: 18/02/2016 19:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë apeluar dy deputetët e Kuvendit, Anton Qunin dhe Rrustem Berishën, të bëjnë presion që t’i ndalin bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo kërkesë e OVL-UÇK-së ka ardhur pas vendimeve që gjykatat serbe po i marrin ndaj eprorëve të UÇK-së, respektivisht ndaj rastit të fundit të dënimit të 8 komandantëve nga Gjykata e Nishit.

“Këta që janë deputetë është mirë të dalin e t’i kundërshtojnë bisedimet me Serbinë. Sa i përket gjykatave të Serbisë nuk desha të merrem sepse ajo ka qenë pushtuese. Për mendimin tim vazhdon të jetë ende pushtuese sepse mban territore të okupuara shqiptare”, ka thënë për “Zeri.info”, Faton Klinaku, sekretari organizativ i kësaj Organizate

Sipas tij, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale është shumë i padrejtë ndaj shtetit tonë.

Klinaku ka thënë se Kosova është dashur që më herët të themelojë një gjykatë, e cila merret ekskluzivisht me krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. “Është dashur që Kosova të krijojë gjykatë vendore për dënimin e krimeve që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë. Gjykatën Speciale e kanë bërë vetëm që të merren me UÇK-në, ndërsa me krimet që i ka bërë Serbia nuk po merret askush. Aty-këtu e dënon sa për sy e faqe dikë”, është shprehur ai.

Ndërkohë, dje Gjykata e Lartë e Nishit ka marrë vendim për dënimin në mungesë të tetë ish-eprorëve të UÇK-së lidhur me krimet e supozuara për vrasjen e trupave të Ushtrisë Jugosllave në Koshare, në shtator të vitit 1998.

Personat që kanë qenë në këtë listë janë: Shiqeri Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Agron Isufi, Anton Çuni, Rabit Alija dhe Rrustem Berisha. Në mesin e tyre janë edhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Anton Çuni, nga LDK-ja, dhe Rrustem Berisha, i AAK-së.