Osmani: Zgjedhja e Thaçit president, njolla më e zezë e LDK-së

E publikuar: 09/06/2020 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në historinë e partisë së saj, LDK, nuk ka njollë më të zezë sesa zgjedhja e Hashim Thaçit president i Kosovës me votat e deputetëve të saj.

“Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri atëherë, kur ky popull do ia tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka reaguar pasi Thaçi në një emision televiziv ka thënë se “dikush nga familja e Osmanit i ka shërbyer Serbisë”.

Osmani në reagimin e saj, presidentit i është referuar si gjarpër.

“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime.
Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr. Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-s e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politikë si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”, ka shkruar Osmani.

Osmani nuk e kishte dhënë votën e saj për të zgjedhur Thaçin president.