Osmani viziton Ferdonije Qerkezin: Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tan

E publikuar: 17/02/2021 22:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka vizituar edhe Ferdonije Qerkezin.

Osmani ka shkruar se pikërisht më 17 shkurt, është edhe data e lindjes së djalit të Ferdonije Qerkezit.
“E përmbyllëm këtë ditëlindje të shtetit tonë në vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe. Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artani”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka thënë se “shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë”.

“Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrenë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë. Në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë”, ka pohuar ajo.

Osmani ka thënë se asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.