Osmani: Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të referohen vetëm me Republika e Kosovës

E publikuar: 16/10/2020 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka kërkuar që mos të votohet një amendamenti i komisionit për Buxhet dhe Transfere, në projektligjin për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, pasi mund të ketë konsekuenca politike.

Fillimisht ministrja e financave, Hykmete Bajrami në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se vlera totale e projektit pritet të arrijë vlerën në 24 milionë euro.

Ndërsa, Vjosa Osmani, tha se amandameni i propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe transfere, ku thuhet se në titullin e projektligjit të heqin fjalët “Republikës së Kosovës”, por të përmendet i “Republikës”, dhe të harmonizohet me tekstin e marrëveshjes me arsyetimin se ky propozim është i natyrës teknike, gjë që ajo e kundërshton, duke thënë se është i natyrës politike.

Ajo tha se në legjislaturën e kaluar është miratuar vendimi që në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kosovë, të referohemi vetëm me Republika e Kosovës.

“Ka qenë vendim unanim i kuvendit, i miratuar në legjislaturën e kaluar që në të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës, pavarësisht a e përmendin termin vetëm Kosovë, ose Kosovo me fusnotë, ne si Kuvend e miratojmë projektligjin tonë dhe në ato tri, katër nene ne i referohemi vetëm sipas termit kushtetues, pra Republika e Kosovës, prandaj propozimi i imë është që ky amandament mos të votohet por që marrëveshja në tërësi, pastaj të miratohet“, tha ajo.

Ndërkohë, ky amandament është tërhequr nga komisionit. Kurse, në fund nuk kishte korum të mjaftueshëm për këtë marrëveshje.