Osmani: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë bekimin e SHBA-së

E publikuar: 22/10/2019 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, është shprehur optimiste se koalicioni i ardhshëm qeverisës me Vetëvendosjen do të formohet pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka folur për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale, për cilën thotë se nuk duhet të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë.

“Tani, Shtetet e Bashkuara janë vendi kyç që e kanë ndihmuar Kosovën që të ketë sukses në periudha të ndryshme të historisë së saj dhe secili prej nesh duhet ta kuptojmë që asnjë marrëveshje e mirë për Kosovën nuk do të mund të arrihet pa bekimin e Shteteve të Bashkuara dhe natyrisht edhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian siç është Gjermania”.

“Prandaj, për mua dhe për LDK-në është tejet me rëndësi që qëndrimet tona të harmonizohen me këto shtete përkrahëse, këto lidhje apo këto miqësi siç i quajmë – mirëpo mbi të gjitha janë marrëdhënie bilaterale – për ne janë ekzistenciale si një shtet që akoma ballafaqohet me probleme tejet të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Prandaj, do të jetë detyrë tejet e rëndësishme që të rindërtojë urat, që fatkeqësisht janë dëmtuar gjatë qeverisjes së kaluar, që të rikrijojë një partneritet mirëbesimi me këto shtete dhe të harmonizojë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Për ne është esenciale që të kemi aleatë në këtë proces sepse nuk mund të kemi sukses pa aleatë”.

“Ne mund t’ia bëjmë qejfin njëri-tjetrit këtu në Kosovë, mirëpo përfundimisht marrëveshja që do të arrihet në Bruksel duhet ta ketë edhe bekimin e miqve tanë shpëtimtarë. Prandaj edhe këto kontakte janë tejet me rëndësi që të informohemi se cilat janë pak a shumë idetë që i kanë Shtetet e Bashkuara lidhur me atë se si duhet të vazhdojë dialogu dhe ne tashmë edhe bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka kohë që i diskutojmë – edhe pse vetëm në terma kështu më të përgjithshëm – këto çështje dhe jam e bindur që të do të arrijmë një marrëveshje”, tha ajo, transmeton Klan Kosova.