Osmani: Kosova humb 400 mijë euro në ditë nga aferat korruptive

E publikuar: 22/09/2019 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i humb 400 mijë euro në ditë si pasojë e aferave korruptive.

Në Keqekollë, të dielën, ajo ka thënë se pas 6 tetorit “Kosova nuk do të përfaqësohet më nga ata që shkatërrojnë miqësitë me parterët tanë”.

“Kosova i humb 400 mijë euro në ditë nga aferat korruptive. Paramendoni sa do të ishim 400 mijë por të investoheshim në Gollak. Kjo humbje vjen si pasojë e krimit dhe korrupsionit në baza ditore”, ka thënë ajo, bën të ditur LDK-ja përmes një njoftimi për media.

“Të tjerët që ju premtojnë Zvicra dhe kanë parulla kundër korrupsionit, ata janë vetë sinonim i korrupsionit. Të tillët nuk i duhen Gollakut dhe as Kosovës. Ata japin fjalë të mëdha, por kurrë asnjë punë të mirë për Kosovën nuk e kanë bërë. Prandaj nuk meritojnë një shans të dytë”, ka shtuar Osmani.

Osmani ka thënë se nëse ajo merr qeverinë “s’do të keqpërdoret asnjë cent”.

“Me fitoren e LDK-së, Kosova do të qeveriset me duar të pastra, nga njerëz të punës dhe pendës, nga njerëz që kanë punuar me nderë. Kosova sot ka një imazh shumë të keq. Kosova sot përfaqësohet nga njerëz që kanë shkatërruar miqësitë, të cilat me shumë mund i ka ndërtuar presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova”, tha Osmani.