Osmani kërkon nga Shqipëria të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë

E publikuar: 16/12/2020 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Shqipëri ka kërkuar nga presidenti shqiptar Ilir Meta, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën përmes të cilës do ta dënonte gjenocidin serb të kryer në Kosovë.

Osmani tha se këtë rezolutë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe që kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë tashmë Kosova e ka miratuar, ndërsa tha se natyrshëm presin që vendi i dytë që do ta miratojë të njëjtin të jetë Shqipëria.

“E para ka të bëjë me kërkesën tonë, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë deklaratën ose rezolutën ose vendimin sido që duhet në përputhje me rregullat e Kuvendit që do të dënonte gjenocidin serbë në Kosovë. Kuvendi ynë tashmë e ka miratuar këtë deklaratë, ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe kërkohet që kryerësit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që presim që vendi i dytë që ta bëjë këtë pas Kosovës të jetë Shqipëria”, tha ajo.

Për këtë kërkesë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se shpreh solidaritetin e plotë dhe se beson që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre.

“Dua të shpreh solidaritetin të plotë me rezolutën e Kuvendit të Kosovës që dënon gjenocidin serb të ndodhur në Kosovë dhe është një moment për të kërkuar drejtësi deri në fund për të gjithë viktimat e këtij gjenocidi dhe të kësaj dhune, pasi ende e dimë që vrasësit e vëllezërve Bytyqi janë të lirë dhe madje gëzojnë edhe mbrojtje të veçantë edhe pse ka edhe një rezolutë të Kongresit amerikan për këtë çështje. Por, edhe dimë mijëra e mijëra raste të dhunimeve, të përdhunimeve të ndodhura në Kosovë dhe të pagjeturve ende. Kështu që në këtë drejtim unë besoj që institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, tha se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë.

“Ju e dini që rruga e Kosovës ka qenë gjithnjë përplot sfida, i gjithë procesi ynë i shtet ndërtimit, por Shqipërinë gjithnjë e kishim në krahë dhe tani është përplot sfida rruga jonë tutje kur para syve tanë po tentohet të përmbyset e vërteta dhe e vërteta është që në Kosovë është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Nuk ka një të vërtetë tjetër dhe këtë të vërtetë e ka parë të gjithë botën mbarë me sytë e vet, sepse ka ndodhur para syve të botës. Por, në mënyrë që të mos lejojmë të përmbyset e vërteta ne sërish kemi nevojë për ndihmën e madhe të Shqipërisë, kemi nevojë që Shqipëria të na qëndrojë pranë dhe që të jetë zëri ynë aty ku ne nuk kemi zë, qofshin ata mekanizma rajonal apo edhe organizata ndërkombëtare ku po tentohet të paraqitet një pasqyrë për Republikën tonë, e cila fare nuk ka të bëjë me realitetin. Prandaj, edhe diskutuam me z. President se si mund t’i bëjmë edhe më efektive këto bashkëpunime në aspektin e fuqizimit ndërkombëtarë të Republikës sonë sepse përderisa kemi prezencë në disa prej këtyre mekanizmave Kosova akoma nuk ka ulëse siç e dini në një numër të madh të organizatave ndërkombëtare dhe aty do të kemi nevojë që të intensifikohet ndihma nga Shqipëria dhe në të njëjtën kohë të rritet zëri i Shqipërisë”, tha ajo.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, tha se e ka siguruar Osmanin se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën me të gjitha energjitë, sovranitetin dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Meta, tha se mbështet ish-drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe të UÇK-së për t’u përballur me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit përballë gjenocidit monstruoz serb.

“Në këtë kontekst vlerësova qëndrimin dinjitoz dhe shpreha mbështetjen time ndaj ish drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës si dhe gatishmërinë e plotë të tyre për tu përballu me drejtësinë në mënyrë për të konfirmuar edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit përballë gjenocidit monstruoz serbë në zemër të Evropës. Vlerësova qëndrimin e madh, qetësinë dhe unitetin e shfaqur nga të gjithë, nga presidentja në detyrë nga kuvendi, siguria forcat kryesore politike në këto qaste të rëndësishme për të krijuar funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike por edhe përballimin e sfidave me të cilat ndeshet shteti i Kosovës”, tha ai.

Osmani e Meta kanë folur rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, të cilët të dy e quajtën të rrezikshme.

Osmani tha se kjo ide sado që mund të mendohet që është e vdekur beson që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë.

“Qëndrimin e tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës së rrezikshme për ndryshim kufijsh. Sado që mund të mendohet që kjo është një ide e vdekur unë besoj që pas një kohe mund të rikthehet në tavolinë, prandaj është i domosdoshëm një zë i fuqishëm edhe në Shqipëri, po edhe në Kosovë që bashkërisht të kundërshtojmë këto ide të cilat më shumë se që janë absurde dhe e destabilizojnë rajonin thjeshtë janë një shpërblim me territor për një shtet si Serbia, i cili ka kryer gjenocid”, tha ajo.

Edhe krijimi u Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Osmani tha se është një lloj paralajmërimi për një ndarje më të vonshme dhe të njëjtën e quajti ide shumë të rrezikshme. Ajo tha se ka kërkuar nga kryeministri që një temë e tillë të mos hapët më asnjëherë, derisa tha se një marrëveshje finale me Serbinë do të përfshinte njohjen në kufijtë aktual.

Presidenti Ilir Meta tha se çdo ide për ndryshim kufijsh është i tmerrshëm, ndërsa u pyet në lidhje me deklaratën e tij të hershme se kryeministri Edi Rama ishte ideatori për ndarjen e Kosovës.

“Qëndrimi im ka qenë dhe është i qartë se çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan është i tmerrshëm, siç dha dhe zonja Osmani. Është provuar se është kriminal që sjell gjenocid, shkatërrim, armiqësi, dëme të jashtëzakonshme dhe shpopullim. Në këtë drejtim nuk ka vend më për të ndodhur ndonjë eksperiment në Ballkan. E vetmja rrugë e përbashkët është integrimi drejt BE, dhe respektimi i pakicave dhe të drejtave të tyre. Ky ka qenë qëndrim i qartë, është dhe do të jetë gjithmonë i imi. Të gjitha institucionet e Shqipërisë për 20 vite e kanë pasur dhe kanë këtë qëndrim, cilido që del në mënyrë publike apo në mënyrë informale jashtë këtyre qëndrimeve, bën një politike që nuk është në shërbim të politikës shqiptare e në interes të politikës kombëtare dhe kuptohet që kjo i shërben vetëm atyre që kërkojnë të rehabilitojnë të kallurën kriminale në Ballkan përmes riaktivizimit të ideve të tilla”, tha ai.

Osmani tha se me presidentin Meta kanë diskutuar edhe për procesin integrues në BE.

“Diskutuam gjatë për procesin integrues në Bashkimin Evropian, natyrisht që Kosova këto ditë po punon drejtë këtij interesi strategjik në të njëjtën kohë për ne është po aq e rëndësishme integrimi në NATO dhe këtu besoj që nga Shqipëria mund të mësojmë shumë dhe do ta presim këtë mbështetje në mënyrë që është flamuri i Republikës sonë të valojë përkrahë flamurit shqiptar në selinë e NATO-së. Për sa i përket integrimit në BE, ne vazhdimisht kemi qenë të zëshëm si Kosovë që qytetarët e Shqipërisë meritojnë që të ecin përpara, ne e kemi një shtet si Serbia që përkundër faktit që akoma e destabilizon gjithë rajonin ka hapur negociatat dhe ka hapur një sërë kapitujsh sa i përket procesit integrues, kurse për Kosovën është bërë i pamundur progresi i mëtejshëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave, sepse edhe vet implementimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit po ngec për shkak të bllokimit të lirisë së lëvizjes”, tha ajo.

Osmani ka folur edhe rreth projektit të mini-shengenit ballkanik, për çka tha se ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin që e ka pasur në vitin 2019, e të cilin qëndrim tha se edhe nesër do t’ia paraqes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

“Shpresa ka qenë që do të kemi mundësi që ne ta bindim z.Rama që ky nuk është një projekt që e favorizon Kosovën, por as Shqipërinë në fakt, por si duket në ndërkohë ai bindi kryeministrin Hoti i cili e nënshkroi marrëveshjen e Uashingtonit e cila ndër të tjera i referohet kësaj marrëveshjeje. Ajo çka do të kërkojë megjithatë si ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës dhe kryetare e Kuvendit institucionit më të lartë përfaqësues në vend është ta kemi dokumentin sepse ne akoma vetëm flasim, nuk kemi asnjë dokument të vetëm rreth asaj se çka është ky mini-shengen, çka është kjo iniciativë, çka përmban. Mirëpo, mendoj që nga fillimi ishte gabim sepse parimi bazë mbi të cilin iniciativat rajonale kanë sukses është parimi i gjithëpërfshirjes, siç e dini kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova dhe akoma jemi në një stad ku as presidenca as Kuvendi nuk është njoftuar se çka ka qëllim”, tha ajo.

Osmani e Meta, u shprehen se në këtë takim kanë diskutuar edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe mundësisë për rritje të bashkëpunimit sa i përket furnizimit me vaksinën anti-COVID./M.Duraku/