Osmani i quan përplasje artificiale deklaratat e Thaçit dhe Mustafës për Asociacionin

E publikuar: 22/09/2020 17:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur përplasje artificiale deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa për Asociacionin e komunave serbe.

Osmani ka thënë se Thaçi dhe Mustafa e kanë përkrahur njëri-tjetrin rreth kësaj çështje, transmeton Telegrafi.
“E konsideroj si një përplasje artificiale sepse sikur në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja e cila është ratifikuar në Kuvend, si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti për zbatimin e parimeve të Asociacionit në të dyja rastet kanë qenë bashkë, pra e kanë përkrahur njëra tjetrën këto dy palë.

Në vitin 2013, grupi parlamentar i LDK-së edhe pse ka qenë në opozitë e ka përkrahë atë marrëveshje që e ka nënshkruar Thaçi, e cila më të drejtë thuhet se e ka themeluar Asociacionin. Unë kam qenë kundër. Në vitin 2015, Thaçi i rrinte mbrapa nënshkrimit të Mustafës, pra e kanë përkrahur njëri-tjetrin, në letrat e nënshkruar. Përplasja e tyre nuk bazohet në fakte”, tha ajo para mediave.

Osmani pohoi se krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive është rrezik për Kosovën.