OSHP-ja pezulloi vendimin për tenderë të vulave të KQZ-së që të mos i pengojë zgjedhjet

E publikuar: 29/09/2019 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për shkak të interesit publik dhe dëmet që do të mund t’i bëheshin vendit, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur që ta zhbllokojë tenderin e KQZ-së për furnizim me vula, të cilin e pezulloi ditë më parë.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se “aprovohet kërkesa e KQZ-së, për faktin se ky institucion ka arritur të dëshmojë se interesi publik për heqje të pezullimit automatik është më i madh se respektimi i afateve kohore për shqyrtim” .

Por, në ankesën e njërit prej operatorëve thuhet se operatori ekonomik të cilin e ka përzgjedhur KQZ-ja nuk ka certifikatë të TVSH-së dhe se me rastin e ofertimit ka pasur borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës, raporton KTV.

Në këtë ankesë, gjithashtu, thuhet se operatori i përzgjedhur nga KQZ-ja ka ofertuar me çmim jonormalisht të ulët.

KTV-ja ka tentuar të marrë sqarime nga KQZ-ja dhe Sekretariati i KQZ-së, nëse pas zhbllokimit të këtij tenderi do të vazhdojnë me operatorin të cilin ata e kishin rekomanduar për nënshkrim, por as zyrtarë të KQZ-së dhe as Sekretariati i tij nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, ndonëse dy ditë më parë e ngritën si problematikë bllokimin e këtij tenderi nga OSHP-ja .

KTV-ja ka kontaktuar me Lumturije Munishin, e cila ishte përzgjedhur si fituese e tenderit për vulat. Munishi, përmes telefonit, shkurt ka thënë se e gjithë kontrata ka qenë e rregullt derisa nuk ka pranuar të flasë për nënshkrimin dhe çmimin e kësaj kontrate.

Ndërsa në Agjencinë për Regjistrim të Biznesit, Munishi figuron se ka biznes individual me vetëm një punëtor të regjistruar.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga operatori me emrin “Jusuf Shalqini”, i cili ishte ankuar në OSHP për këtë tender, por kontakti me këtë kompani ka qenë i pamundur.

Dy ditë më parë, ishte kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ai i cili në mbledhjen e KQZ-së, kishte thënë se bllokimi i tenderit për prodhimin e vulave për zgjedhjet e 6 tetorit do ta vështirësonte mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.