OSBE i kërkon Kosovës më shumë angazhim në luftimin e korrupsionit

E publikuar: 27/03/2019 11:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Jan Brathu, tha se Kosova ka bërë disa përparime në luftimin e korrupsionit, por shtoi se në këtë drejtim duhet bërë më shumë.

Në konferencën “Korrupsioni i nivelit të lartë”, të organizuar nga OSBE-ja, Brathuu potencoi faktin se ka pasur më pak procese gjyqësore të rasteve për abuzim me pozitën zyrtare. Mirëpo kjo sipas tij ka ndodhur për faktin se institucionet nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të ndjekur këto raste.

“Më 2018, në gjykata kanë qenë 774 raste të ndërlidhura me korrupsionin. OSBE-ja ka monitoruar 328 raste gjyqësore, që prej 2016 deri tani. Sipas vëzhgimit tonë, bazuar në rastet ku janë përfshirë persona të akuzuar për abuzim të pozitës zyrtare ka rënë nga 168 raste më 2016, në 122 raste më 2018. Por, kjo rënie, fatkeqësisht nuk do të thotë se është arritur sukses në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, por mund të lë të kuptohet se ka pasur përpjekje të pamjaftueshme nga institucionet e rëndësishme për të ndjekur raste të tilla”, tha Braathu.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, po ashtu tha se “Nuk duhet të ketë mosndëshkim për korrupsionin”, duke shtuar se korrupsioni i nivelit të lartë minon besimin në institucionet e shtetit.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se vendi ka ndërmarrë një sërë masash dhe ka miratuar legjislacion për të luftuar dukurinë e korrupsionit, që sipas tij, “është një kërcënim, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet më të zhvilluara dhe një sfidë për demokracinë”.

“Si shtet i ri, duhet të jemi të pakompromis në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, tha Thaçi.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, të publikuar nga organizata Transparency Internacional, thuhet se Kosova ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak, duke u radhitur në vendin e 93.

Ndërkaq, në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, në pjesën për Kosovën janë nxjerr në pah disa probleme, të tilla si: “kthimin e detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në qeveri, dhunën dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”.