OSBE: Gjilani është shembull i mirë kultivimit të dialogut ndër-fetar

E publikuar: 12/03/2015 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nën organizimin e Qendrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, është mbajtur sot në Gjilan një forum diskutimi për dialogun ndër-fetar në Kosovë, ku i pranishëm ka qenë drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së, Ulrich Biffar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i Novobërdës, Sfetislav Ivanovic, si dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Katolike Shqiptare, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Protestante etj.

Në hapjen e Tryezës, drejtori i  Qendrës Rajonale të OSBE-së, Ulurich Biffar, ka deklaruar se ky është takimi i tretë për diskutimin rreth dialogut ndër-fetar, duke e vlerësuar këtë si një storie e suksesit për misionin e tyre për të ndërtuar raportet miqësore ndër-fetare në mënyrë që të ndikohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ndërkaq, në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka falënderuar OSBE-në për këtë organizim dhe kontributin e tyre për avancimin e dialogut ndër-fetar, duke theksuar se Gjilani dhe Anamorava njihet për tolerancën ndër-fetare.

“Gjilani dhe Anamorava njihet për tolerancën ndër-fetare, për respektin ndër-fetar, përkundër vështirësive jashtëzakonsiht të mëdha, të rënda që kemi kaluar të gjithë së bashku për të menagjuar situatën e pasluftës, duke dashur ta ruajmë njëri-tjetrin, duke dashur ta ruajmë besimin në Zot, përkundër dallimeve që kemi në mënyrën e lutjes dhe mënyrën e praktikimit”, tha Haziri.

Ai ka përmendur edhe angazhimet konkrete të Komunës së Gjilanit që së bashku me BIK, Kishën Katolike dhe me përfaqësuesit tjerë, të ndërtohet një dialog i brendshëm.

“Sa i përket Komunës së Gjilanit, ne jemi munduar dhe kemi pasur disa angazhime konkrete si produkt i këtij dialogu me BIK, Kishën Katolike dhe me përfaqësuesit tjerë që të ndërtojmë një dialog të brendshëm dhe të bisedojmë çështjet që mund të ndërlidhen me angazhimet tona dhe të krijojnë mundësitë e zgjidhjes së çështjeve që lidhen në kuadër të këtij procesi, çofshin ato të natyrave fetare, edukative, të koordinimit, bashkëbisedimit tonë të përbashkët. Me këtë tryezë, dallimet nuk na largojnë për na afrojnë. Diverziteti fetar çdokund në Europë tashmë është vlerë, e cila i bashkon njerëzit, nuk i ndan, e cila vlerëson njërit-tjetrin më shumë dhe vlerë që fton që njëri-tjetrin ta ndihmojmë për nevojat që ka”, tha ai.

Poashtu, përfaqësues të OSBE-së kanë falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin e mirë që e kanë pasur në këtë çështje, duke thënë se Gjilani është shembull i kultivimit të tolerancës ndër-fetare, duke ditur se janë mbajtur disa takime me përfaqësuesit e konfesioneve fetare në Gjilan si dhe është caktuar shefi i Kabinetit të Kryetarit, Arbër Ismajli, si person kontaktues dhe koordinues.

Edhe përfaqësuesit e konfesioneve fetare kanë falënderuar kryetarin Lutfi Haziri për bashkëpunimin e mirë që e kanë pasur për takimet në kuadër të këtij dialogu ndër-fetar.