Organizatori i protestës së nesërme: Votone Demarkacionin, mos na bllokoni

E publikuar: 22/02/2018 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës pritet të shoqërohet me një protestë qytetare. E thirrur nga Fondacioni i Kosovës për Inovacione – iFOK. Por përkundër protestave të mëhershme që kanë qenë kundër Demarkacionit, kjo protestë është thirrur për të kërkuar votimin e Demarkacionit. Drejtori i iFOK, Bashkim Fazliu ka folur për Express lidhur me këtë protestë. Ai ka treguar se pse ka marrë vendim që ta organizoj protestën.
“Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një trajtim të tillë, duke na konsideruar si minjë të bardhë eksperimental. Ata politikanë po mund të shëtisin e marrin selfie në tërë BE-në, kurse kanë fytyrë të dalin para qytetarëve e të na flasin për patriotizëm për demarkacionin”, thotë Fazliu.

Express: Pse jeni duke e organizuar këtë protestë?

Fazliu: Protestën e shohim të nevojshme si organizim i lirë qytetar dhe si zë i qytetarëve të pakënaqur. Pasi vlerësojmë se shumica e qytetarëve të Kosovës janë të lodhur me këtë problem dhe janë PRO votimit të demarkacionit për t’i haur rrugë liberalizimit të vizave.

Problemi i mos mundësisë së lëvizjes së lirë është problem shumë i madh, të cilin nuk duhet lënë si barrë vetëm deputetëve, por duhet edhe një zë i fuqishëm qytetar që t’ju jap përkrahje zgjidhjeve të problemeve siç është rasti i Demarkacionit. Unë vetë personalisht si Inovator kam pasë dhe kam ende dëme nga pamundësia e lëvizjes së lirë nëpër vendet e BE-së Ndërsa mos ta harrojmë se psh qytetarët e Serbisë mund të lëvizin lirshëm nëpër BE pa viza, por edhe në Kinë mund të shkojnë pa viza.

Express: Cilat organizata do të jenë pjesë e protestës?

Fazliu: Konfirmim edhe publik kemi nga rrjeti i OJQ-ve, AVONET. Pastaj, ETIKA, RECPIK etj. Presim në vazhdim të na vijnë ende përkrahje. Nesër do të jenë edhe në Protestë këto OJQ dhe të tjera. Do të thotë, kjo protestë është e thirrur nga Fondacioni i Kosovës për Inovacione – Ifok.

Express: A mendoni se nesër do të dalin qytetarët në protestën e thirrur nga ju?

Fazliu: Po, presim një dalje masovike të qytetarëve tanë pasi është brengë e tyre e shprehur kudo. Por pavarësisht prej asaj se sa do të dalin, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi! Ne jemi këmbëngulës në synimet tona euro-atlantike dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që dikuesh ta ceojë këtë rrugë Aq më pak nuk do të lejojmë asesi që dikush ta prishë miqësinë tonë me Amerikën dhe BE-në.

Express: Çka prisni nesër nga protesta që jeni duke e organizuar ju?

Fazliu: Qysh sot në inicimin e kësaj proteste, veç ka pasur efekt dhe efekti është në rritje e sipër.

Qytetarët kanë dashtë një organizim të tillë në formë proteste që do t’ju thotë STOP atyre që duan të na mbajnë përjetësisht të izoluar. Pyetja që duhet shtruar është: KUSH JANË ATA QË DUAN TË NA MBAJNË TË IZOLUAR?

Express: Sipas juve, pse nuk po përfundon çështja e demarkacionit dhe kush janë fajtorët?

Fazliu: Çështja e demarkacionit është bërë temë e panevojshme politike, duke harruar se demarkacionin më të rëndë do ta kemi me Serbinë. Dhe autorët e këtij bllokimi 3 vjeçar e dijnë mirë se nuk kanë arritur të na mbushin me ndjen duke mos pasur fakte se Kosova po humb territor. Pos kësaj, po qëse autorët e kësaj teme të shpikur do ta kishin pasur të njëjtin qëndrim me rastin e Dobëlldesë kur i humbëm 2500 hektarë me Maqedoninë, atëherë do të mund të thonim se janë parimor dhe vërtetë duan ta mbrojnë Kosovën. Por siç e dini kjo nuk ka ndodhur atëherë, por vetëm kur erdhi në pyetje demarkacioni me Malin e Zi.

Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një trajtim të tillë, duke na konsideruar si minjë të bardhë eksperimental. Ata politikanë po mund të shëtisin e marrin selfie në tërë BE-në, kurse kanë fytyrë të dalin para qytetarëve e të na flasin për patriotizëm për demarkacionin. Vetëm njerëzit e lirë arrijnë të bëjnë mrekulli! Dhe ne do të bëjmë mrekullira! MOS NA BLLOKONI./GazetaExpress/