Opozita thotë se Qeveria e bëri me qëllim të premten ditë pushimi

E publikuar: 26/11/2015 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka vendosur që me rastin festës së 28 Nëntorit, dita e premte të jetë pushim. Por, këtë veprim opozita po e vlerëson si taktikë të ekzekutivit për të ndalur pjesëmarrjen e qytetarëve në manifestimit e opozitës, i cili do të mbahet të shtunën.
Ndërsa, në Ministrinë e Administratës Publike për lajmi.net kanë thënë se nuk ka ndonjë arsye të veçantë pse e premtja është caktuar ditë pushimi.

Por, opozita si fakt tjetër të Qeverisë për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në manifestimin e së shtunës, përmend ndarjen e rrogave për shërbyesit 6 ditë më herët.

Për deputeten e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina këto janë taktika të Qeverisë, për ti stimuluar qytetarët që të largohen nga Kosova gjatë festës.

“Qeveria po përdorë edhe një taktike tjetër për të ndaluar pjesëmarrjen e qytetarëve në Manifestimin e opozitës me 28 nëntor. Sot 6 ditë më herët, siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, janë paguar rrogat e punëtoreve të administratës, e poshtë të premten e ka shpallur ditë pushimi për të i stimuluar ata që të ikin për vikend jashtë Kosove, se më herët ju kishte thënë të mos shkojnë në koncerte, as në ngjarje sportive e as në qendra tregtare nëpër Kosovë”, ka shkruar Pantina në Facebook.

Kurse sekretari i Ministrisë së Administratës Publike, Fitim Sadiku ka thënë për lajmi.net se as njoftimi disa ditë më herët që e premtja do të jetë pushim dhe as, caktimi i kësaj dite si ditë pushimi nuk kanë ndonjë arsye të caktuar.

“Nuk ka ndonjë arsye nuk është bërë për ndonjë qëllim të caktuar dhe kryesisht njoftime i bëjmë dy-tri ditë më herët. Njoftimi që e premtja do të jetë ditë pushimi është bërë të hënën ose të martën”.

“Ky ka qenë vendim i qeverisë, por logjikisht kështu është më e drejtë. Më afër është e premtja dhe e shtuna, se shtuna dhe e hëna logjikisht kështu duket”, ka thënë Sadiku, për lajmi.net.

Marshi i opozitës do të mbahet me 28 nëntor, i cili organizohet nga partitë opozitare për të kundërshtuar marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi.