Opozita i thotë jo bisedimeve me Qeverinë për demarkacionin (Video)

E publikuar: 25/09/2016 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asnjëra nga tri subjektet opozitare në Kosovë nuk është e gatshme t’i përgjigjet pozitivisht një thirrjeje eventuale për një takim të ri me qeverinë ku do të bisedohej për demarkacionin.

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë për televizionin publik se bashkë me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, do t’i ftojnë partitë opozitare në fillim të tetorit në një takim për demarkacionin, raporton KTV.

Por Zgjim Hyseni nga Vetëvendosje, ka deklaruar se ky subjekt nuk do të pranonte të ulej në një takim të tillë, para se qeveria ta pranojë se versioni i tanishëm i demarkacionit ka qenë i gabuar.

Kurse Ahmet Isufi nga AAK-ja, i ka thënë KTV-së se AAK-ja nuk merr pjesë në asnjë takim te thirrur nga Qeveria derisa ajo ta shpallë të anuluar marrëveshjen e versionit aktual të demarkacionit dhe se e vetmja alternativë që do ta bënte të ulej në ndonjë takim të ri për demarkacionin, do të ishte në rast se formohet një komision i ri që do ta ripërcaktonte vijën kufitare në mënyrë të drejtë.

Qëndrim të ngjashëm mban edhe Nisma për Kosovën. Bilall Sherifi nga ky subjekt, tha se ky është veçse një paralajmërim tjetër i kryeministrit Mustafa, dhe se përgjigjja e Nismës do të varej nga përmbajtja e ftesës.

Dështimi i seancës së 1 shtatorit në Kuvend për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me shtetin malazez, vazhdon ta mbajë këtë marrëveshje pezull.