Opozita: Të dënohen qëndrimet antikushtetuese të krerëve institucionalë

E publikuar: 13/02/2019 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Insistimi i presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe rezistenca e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka bërë që të përshkallëzohet “lufta” mes dy liderëve kryesorë të vendit, shkruan Gazeta “Zëri”.

Teksa ka folur rreth idesë për korrigjim të kufijve deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se çdo qëndrim i krerëve të institucioneve që del jashtë kornizave kushtetuese duhet të dënohet.

Krerët shtetërorë sipas saj nuk mund të kenë qëndrime që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. “Përgjegjësit institucionalë mund të mendojnë ndryshe, por është vetëm një Kushtetutë që e obligon secilin të flasë njësoj. Kështu që ata i detyrohen Kushtetutës. Çdo mendim që del jashtë këtyre kornizave është për t’u dënuar”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë sa i përket taksës, Kajtazi ka thënë se ky vendim i Qeverisë për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe ka qenë një masë serioze e shtetit të Kosovës.

Ndërkaq deputetja e LVV-së Fatmire Kollçaku ka konsideruar se procesi i negociatave me Serbinë është duke u zhvilluar në formë të improvizimeve, ku secili udhëheqës i institucioneve vepron kokë më vete, presidenti me agjendë të vet e kryeministri me agjendë tjetër. Ndaj sipas saj, nuk është aspak e lehtë që të arrihet një gjuhë e përbashkët mes Thaçit e Haradinajt sa u takon temave nacionale. “Është vështirë që tash të ketë ndonjë harmonizim, sepse kanë shkuar aq larg sa po flitet për shkëmbim territoresh dhe ndryshim të kufijve, pa ndonjë autorizim”, ka potencuar ajo, shkruan Gazeta “Zëri”.