Opozita siriane, përpjekje për më shumë unitet para bisedimeve

E publikuar: 22/11/2017 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësit e opozitës siriane u mblodhën sot në Arabinë Saudite në përpjekje për të formuar një front më të unifikuar, ndërkohë që disa vende të tjera me ndikim të madh në konflikt po zhvillojnë konsultime në Rusi. Javën që vjen në Gjenevë pritet të nisë një raund i ri bisedimesh për paqe të udhëhequra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Që nga shpërthimi i luftës në vitin 2011, rebelët kanë luftuar të fragmentuar kundër Presidentit Bashar al-Assad, me përpjekje të shumta për t’u bashkuar nën një ombrellë, por që nuk ka fuksionuar për shkak të mosmarrëveshjeve.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Siri Staffan de Mistura tha gjatë një fjalimi hapës në bisedimet e sotme në Riad, se nevojitet një delegacion i fuqishëm dhe i unifikuar i opozitës, në negociatat e 28 nëntorit në Gjenevë.

Shumë raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara kanë dështuar të ndalin luftën, që ka shkaktuar të paktën 400 mijë të vdekur dhe 13 milionë sirianë që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Zoti De Mistura paralajmëroi se koha për të gjetur një zgjidhje për konfliktin po mbaron.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbështetur një proces politik me shumë hapa që do të udhëhiqet nga populli sirian dhe duhet të përfshijë hartimin e një kushtetute të re, zhvillimin e zgjedhjeve si dhe vendosjen e një armëpushimi mbarëkombëtar.

Gjatë një bisede telefonike dje, Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për këtë proces.