Opozita paralajmëron bllokimin e seancës sot

E publikuar: 10/03/2016 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen plenare të radhës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje, raporte e propozime.
Në seancën e sotme, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës, Kuvendi do të formojë organin përzgjedhës të pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ndërsa më pas, do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje: Projektligjin për gazin natyror, Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, Projektligjin për energjinë elektrike, Projektligjin për energjinë, Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, Projektligjin për falimentimin, si dhe Projektligjin për rregullat e komunikacionit rrugor.

Për herë të dytë, ndërkaq, deputetët pritet të shqyrtojnë Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare, si dhe atë për mjekësinë ligjore.

Kuvendi do të vijojë punimet me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shqyrtimin e raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin. Më pas, pritet të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe ai për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media. Në fund, do të votohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së, për emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Në këtë seancë nuk dihet ende nëse opozita do të vazhdojë të përdorë mjete të njëjta, përfshirë gazin lotsjellës, për të penguar zhvillimin normal të punës në Kuvend.

Për dallim nga seancat paraprake të këtyre muajve të fundit, kësaj radhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të heqin dorë nga gazi lotsjellës, madje edhe të bojkotojnë fare seancat, duke e konsideruar këtë Kuvend dhe institucionet aktuale si jo legjitime.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se opozita është në konsultime e sipër për veprimet, të cilat duhet të ndodhin.

Ndërkaq, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vazhdimi i përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit është i panevojshëm.

Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, ka paralajmëruar vazhdimin e masave të njëjta penguese të seancave, përfshirë edhe gazin lotsjellës.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, ka thënë se kundërshtimi do të jetë i njëjtë si në të kaluarën.

“Nuk ka asnjë arsye që metodat tona të ndryshojnë. Opozita do të jetë nesër në parlament dhe kundërshtimet do të vazhdojnë”, ka thënë Çaushi.

Në rast se opozita paraqitet me veprime të ndryshme, kjo do të ishte hera e parë gjatë këtyre shtatë muajve të fundit që këto tri subjekte opozitare shkojnë në një seancë me pozicione jounike.