Opozita: Nëse Qeveria s’e merr për bazë peticionin, do t’i marrë demonstratat

E publikuar: 23/09/2015 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për gjashtë ditë 75 mijë e 506 nënshkrime kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Ky është bilanci i peticionit të opozitës, që ka nisur të nënshkruhet gjithandej Kosovës.

“Vetëm gjashtë ditë, afër 80 mijë nënshkrime. Puna e palodhshme e aktivisteve dhe aktivistëve dhe interesimi i lartë i qytetarëve për kundërshtimin e ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit me Malin e Zi, janë shenja të pamohueshme që ‘Zajednica’ nuk do të kalojë; janë shenja të pamohueshme që reagimi qytetar do të parandalojë faljen e territoreve tona”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përfundim të ditës së gjashtë të mbledhjes së nënshkrimeve.

Sot në shesh janë parë vetë kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti e figura të tjera politike të opozitës, duke folur me qytetarë.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka thënë për portalin Koha.net se opozita nuk e ka të përcaktuar numrin e nënshkrimeve që do që t’i mbledh, e as kohën sa do të zgjasë mbledhja e tyre.
“Nuk e kemi përcaktuar edhe sa do të zgjasë por jemi të vendosur që t’ju japim rast sa më shumë qytetarëve që të nënshkruajnë. Së paku edhe një javë do të vazhdojë. Synimi ynë është që ky të jetë peticioni më i madh që është nënshkruar në Kosovë”, ka thënë Krasniqi për Koha.net.

Krasniqi ka thënë se ecuria e peticionit i ka tejkaluat edhe pritjet e opozitës.
“Për gjashtë ditë janë mbledhur afër 80,000 nënshkrime dhe kjo flet për një interesim shumë të lartë të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

E përtej kësaj, ai ka thënë se nuk mund ta dinë se a do ta marrë për bazë qeveria peticionin.
“Por e dimë sigurt që kjo qeveri nuk mund të vazhdojë gjatë me shpërfilljen ndaj vullnetit të qytetarëve. Qeveria ose do ta marrë parasysh peticionin, ose demonstratat masive që do të ndodhin”, ka thënë Krasniqi.