Opozita në Venezuelë kundërshton rezultatin e zgjedhjeve

E publikuar: 16/10/2017 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Venezuelë koalicioni opozitar kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të së dielës që u mbajtën në 23 shtete për guvernator si dhe i bëri thirrje kandidatëve të opozitës të zhvillojnë të hënën demonstrata në rrugë.

“Nuk njohim asnjë nga rezultatet. Po përballemi me një moment shumë kritik për vendin”, tha Gerardo Blyde drejtues i fushatës së Tryezës së Bashkimit Demokratik i cili bëri thirrje për një verifikim të plotë të rezultateve.

Sipas sondazheve kandidatët e koalicionit opozitar kishin të ngjarë të fitonin mbi gjysmën e vendeve për guvernator.

Megjithatë të dielën në mbrëmje kryetari i Komisioni Zgjedhor, pro-qeveritar, Tibisay Lucena njoftoi se Partia Socialiste në pushtet e Presidentit Nikolas Maduro fitoi 17 vende për guvernator, kundrejt pesë që fitoi koalicioni i opozitës.

Presidenti Maduro e cilësoi këtë si një fitore për “çavizmin”, duke iu referuar emrit të ish presidentin Hugo Chavez.

Udhëheqësit e opozitës patën paralajmëruar se Komisioni Zgjedhor pro qeveritar ishte gati të shpallte rezultate që binin në kundërshtim me atë që ata e cilësonin si një fitore “të jashtëzakonshme” të tyren.

Të premten zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert shprehu shqetësimin e Uashingtonit lidhur me refuzimin e qeverisë së Maduros për të lejuar vëzhguesit e pavarur në zgjedhje. Ajo tha se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se një sërë veprimesh të Këshillit Kombëtar Zgjedhor vënë në pikëpyetje drejtësinë e procesit zgjedhor”.