Opozita kundërshton draft-deklaratën që do t’i drejtohet BE-së për vizat

E publikuar: 28/10/2016 14:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është përpjekur edhe sot gjatë seancës së Kuvendit të unifikojë grupet parlamentare për të miratuar deklaratën e propozuar nga ai për procesin e liberalizimit të vizave, shkruan Gazeta Express.

Por deputetët e opozitës edhe në këtë seancë nuk pranuan që të pajtohen me propozimin e nxjerrjes së një deklarate që i bën thirrje Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, u përpoq që edhe në këtë seancë të mos fokusohet te procesi i unifikimit të deklaratës për heqjen e vizave, duke kërkuar që në seancë të diskutohet për çështjen e demarkacionit e jo për heqjen e vizave.

Ndërsa Grupet Parlamentare të AAK-së e “Nismës” thanë se nuk mund të pajtohen me propozimin e koalicionit qeveritar pasi propozimet e tyre nuk po merren parasysh.
Pas diskutimeve, kryeparlamentari Veseli tha se grupet mund të mblidhen dhe të unifikojnë qëndrimet për këtë çështje me interes për qytetarët, por partitë opozitare nuk dëshiruan të bashkëpunojnë për këtë temë.

Më poshtë është draft-deklarata finale e propozuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli:

D E K L A R A T Ë (draft)

Ne deputetët e Republikës së Kosovës, të përkushtuar për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, përmes fuqizimit të demokracisë, sundimit të ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut;

Të përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe, stabilitet dhe bashkëpunim të mirë me Malin e Zi dhe me të gjitha vendet fqinje.

Pavarësisht dallimeve që kanë mbi mënyrën e shënjimit të kufirit të mes Kosovës dhe Malit të Zi, koalicioni qeverisës dhe opozita qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur;

Duke marrë për bazë këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit, kërkojmë mirëkuptimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës t’u njihet e drejta e lëvizjes së lirë në Zonën Shengen.

Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave.