“Opozita është treguar e pafuqishme deri tash, VV me qasje tjetër karshi qeverisë Mustafa”

E publikuar: 20/02/2018 16:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, edhe pse me numër të madh në Kuvend, deri më tash janë treguar te pafuqishme përballë koalicionit qeverisës për të adresuar shqetësimet kryesore.

Edhe pse kjo opozitë ka bërë disa veprime institucionale siç është dërgimi në Gjykatën Kushtetues lidhur me vendimin e rritjes së pagës për kryeministri dhe vartësit e tij, sipas analistit politik, Imer Mushkolaj, opozita ka dështuar në adresimin e çështjeve kryesore.

Ai për lajmi.net ka thënë se me një opozitë aq të madhe për nga numrat nuk është dashur të ketë një situatë të tillë.

“Besoj që opozita deri tash ka dështuar të adresojë shqetësimet kryesore, për shkak se sikur ka pritur që Qeveria të bëjë gabime më të mëdha në mënyrë që të reagojë, por opozita është aty për të reaguar dhe për ta ngritur zërin, të ngrish mocion mosbesimi në rastin kur e sheh që ka nevojë”.

“Reagimi i opozitës është dashur të jetë më i fortë dhe më i fuqishëm krahasua me atë se çfarë është bërë deri më tash”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Sipas tij, janë bërë disa veprime institucionale në kuptimin që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar nëse ngritja e pagave ka qenë në rregull ose jo, por opozita është duke pritur që Qeveria të marrë ato vendimet e mëdha, në mënyrë që të reagojë.

“Në një mënyrë z.Haradinaj dhe qeveria e tij, deri tash sikur i ka pasur duart e lira të veprojë, pa frikën se opozita mund ta pengojë në punën e vetë”.

“Nëse e krahasojmë qasjen që opozita e ka pasur ndaj mandatit të kaluar ndaj z.Mustafa dhe qeverisë së tij është një dallim jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Mushkolaj.

Përveç dërgimit në Kushtetuese, vendimin për rritjen e pagave nga radhët e Vetëvendosjes, LDK është duke përgatitur për të dërguar në këtë gjykatë një vendim tjetër të Qeverisë Haradinaj, atë për faljen e borxheve.

Opozita deri më tash ka thirrur në disa interpelanca kryeministrin Haradinaj, siç ka qenë ai për rastin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, i akuzuar nga disa qytetarë se gjatë luftës ka kryer krime lufte dhe gjuajtën me armë zjarri nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi.

LDK që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie kishte paralajmëruar thirrjen e një mocioni mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, por që deri tash nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Sipas Mushkolaj qasja ndryshe në krahasim me qeverinë e Isa Mustafës dhe problemet e brendshme brenda Vetëvendosjes, si partia më e madhe opozitare në Kuvend, kanë bërë që LDK të marrë primatin e partisë kryesore opozitare në Kuvend.

“Lëvizja Vetëvendosje prej fillimit të kësaj qeverisje e ka pasur një qasje për mu jo të zakonshme për të, duke njofto qasjen e VV-së karshi koalicionit të kaluar , por edhe problemet e brendshme kanë ndikuar që kjo qasja të bëhet më apatike dhe mos të ketë reagim konkret”, është shprehur Mushkolaj.

Por, pavarësisht kërcënimeve që vinë nga partitë opozitare për rrëzimin e qeverisë, koalicioni qeverisës, PDK-AAK e Nisma, kanë vlerësuar se qeveria është stabile.

Vetëvendosje dhe LDK si parti opozitare kanë 59 numra në Kuvend. P.B. /Lajmi.net/