Opozita e vendosur të mos ia krijojë kuorumin koalicionit qeverisës

E publikuar: 08/07/2019 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike opozitare në Kuvendin e Kosovës konsiderojnë se mungesa e shumicës parlamentare dhe e legjitimitetit për të udhëhequr me institucione, po pamundëson funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e partive opozitare theksojnë se Kuvendi për më gjatë se dy muaj është duke funksionuar vetëm me seanca të jashtëzakonshme, të cilat është duke i thirrur opozita.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja, si parti opozitare, do t’i vazhdojë veprimet në Kuvend për të pamundësuar drejtimin e institucioneve nga partitë politike, dhe siç tha ai, njerëzit pa legjitimitet që drejtojnë me institucionet.

“Kuvendi praktikisht është paralizuar. Kuvendi ka muaj që funksionon vetëm me seanca të jashtëzakonshme që kërkohen kryesisht nga opozita, për çështje që bëhen të jashtëzakonshme për shkak se koalicioni PAN [koalicioni qeverisës] nuk ka fuqi që [proceset] t’i çojë përpara. Në bazë të disa vlerësimeve të organizatave që e mbikëqyrin punën e Kuvendit, 17 deri 18 për qind është realizuar agjenda legjislative dhe kjo jo për faj të opozitës, por për shkak se koalicioni qeverisës nuk ka shumicë në Kuvend”, tha Hoti.

Ai tha se me këtë formë të qeverisjes çdo ditë e më shumë po dëmtohen proceset vitale të vendin.

“Është me rendësi që sa më parë të kemi institucione që kanë legjitimitet qytetar”, tha Hoti.

Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kuvendi i Kosovës ka kohë që nuk është funksional, dhe se sipas saj, në rrethana të tilla qeverisja aktual duhet të japë dorëheqje.

Ajo tha se Vetëvendosje, nuk do të braktisë punimet e seancave, por nuk do të shërbejë për krijimin e kuorumit.

“Ne do të vazhdojmë punën nëse thirren seancat, por nuk do t’ua mundësojmë kuorumin. Opozita nuk bën kuorum, opozita bën kritika, jep edhe propozime siç kemi bërë dhe bëjmë, por në asnjë moment ata nuk mund të mbështeten në votat tona”.

“Nëse thonë se janë të fuqishëm dhe duhet të vazhdojnë të qeverisin, atëherë le t’i gjejnë numrat”, tha Haxhiu.

Ajo tha po ashtu se në mungesë të votave në Kuvend, koalicioni qeverisës po kërkon të bëjë pazare me partitë opozitare për të arritur numër të mjaftueshëm të votave për çështje të caktuara. Një tentim i fundit, tha Haxhiu, ishte në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit.

“Kryesia e Kuvendit kërkonte pazar me opozitën. I bënte pyetje opozitës se cilat janë pikat që opozita do t’i votonte për të mbajtur seancë. Ne nuk jemi këtu për të bërë pazare. Ne kemi strategjinë tonë opozitare, ne kemi prioritetet tonë si opozitë, si Vetëvendosje”, tha ajo.

Haxhiu tha se Kuvendi nuk mund të shkojë në pushime pa e dorëzuar mocionin për rrezmin e Qeverisë. Siç tha ajo, nëse kjo qeverisje do të vazhdojë me skandalet edhe gjatë dy muajve të tjerë, është një humbje e madhe dhe e papranueshëm për Vetëvendosjen.

Në Institutin Demokratike të Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, thonë se mungesa e kuorumit është një prej sfidave të kësaj legjislature që ka qenë e theksuar kryesisht në seancat plenare, por kohët e fundit theksohet se është problematikë evidente edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Agnesa Haxhiu, nga KDI-ja tha për Radion Evropa e Lirë, se mungesa e numrave të shumicës parlamentare dhe mospjesëmarrja e opozitës në votime, tashmë e ka bllokuar tërësisht funksiononim e Kuvendit.

“Kuvendi është në përfundim të sesionit pranveror për vitin 2019, por ka seanca të hapura me pika për votim që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Në mungesë të numrave për t’iu dhënë epilog çështjeve që janë vënë në diskutim tash e disa muaj, janë parë disa tentativa nga ana e pozitës që të thërrasë vazhdimin e seancave të mbetura për ta kthyer funksionalitetin e Kuvendit, por pa rezultat. Në këtë situatë, opozita ka iniciuar një numër të madh të seancave të jashtëzakonshme dhe ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash, të cilat kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji tetor i vitit 2018”, tha ajo.

Ka dy muaj që Kuvendi nuk ka mbajtur seancë të re plenare, ndërkaq javën e kaluar, Kryesia dështoi që të thërrasë një seancë të re plenare pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit, meqë anëtarët nga opozita e lëshuan sallën.

Agnesa Haxhiu tha po ashtu se në bazë të monitorimit që bën KDI-ja, del se Kuvendi shpjet do të shkojë në pushim veror, por nuk ka arritur deri më tash të përmbushë as 20 për qind të agjendës legjislative.

“Meqë është gati në përfundim sesioni pranveror, Kuvendi shkon në pushim me nëntë seanca të hapura, me gjithsej 36 pika për shqyrtim dhe miratim. Ndërkohë, nuk është shqyrtuar dhe miratuar planprogrami i punë së Kuvendit për këtë vit, dhe se është përmbushur vetëm 19 për qind e agjendës legjislative, bazuar në plan programin e Qeverisë dhe planet e punës së komisioneve”, tha Agnesa Haxhiu.

Ka më gjatë se një vit që në Kuvend, koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën e votave për vendimmarrje, por njëkohësisht edhe opozita nuk e ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta sfiduar Qeverinë. Një gjendje e tillë në Kuvend ekziston që nga momenti kur Lista Serbe, e cila ka përfaqësim në Qeveri, por në Kuvend kaloi opozitë më vete.