Opozita e çakorduar e lë në pushtet Qeverinë e pafuqi Haradinaj

26.10.2018 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Opozita e çakorduar e lë në pushtet Qeverinë e pafuqi Haradinaj

Partitë opozitare vazhdojnë insistimet e tyre se Qeveria në krye me Ramush Haradinajn duhet të rrëzohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por pozita s’po i merr seriozisht deklaratat e opozitës dhe nga Qeveria thonë se vetëm nëse duan Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj – vendi shkon në zgjedhje.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se vetëm nëse shkohet në zgjedhje, atëherë do të ketë stabilitet në Kosovë. Njësoj deklaron edhe Lëvizja Vetëvendosje e Partia Socialdemokrate, ndonëse kjo e fundit po kritikohet se është besnike ndaj partive në pushtet, dhe s’presin nga ta ndonjë votë mosbesimi.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha për Koha.net se në këtë situatë vetëm zgjedhjet e reja mund të krijojnë stabilitetin e nevojshëm institucional për t’u marrë me probleme të jetës së përditshme të qytetarëve.

“LDK-ja është e gatshme për këtë proces. E gjithë opozita është e unifikuar në këtë çështje, se vetëm zgjedhjet e reja mund të nxjerrin vendin nga kjo situatë. Në një situatë tjetër, vetë Qeveria do të tërhiqej për të hapur rrugë për proceset demokratike”, ka thënë Hoti.

Deklarimi i kryeministrit se “duket se do të qëndrojë deri në fund të mandatit”, thotë Hoti, reflekton logjikën qeverisëse të njerëzve të etur për pushtet, e jo për t’u shërbyer qytetarëve bazuar në parimet demokratike.

“Ai e ka të qartë se Qeveria që drejton mund të bjerë në çdo moment dhe është i kënaqur nëse e shtyn edhe një ditë më tepër. Kemi shumë punë në Qeverinë e ardhshme për t’u marrë me dëmet e shkaktuara nga kjo qeveri e pakicës”, ka thënë Hoti.

Opozita (nuk) është e bashkuar

Edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, tha në një përgjigje për Koha.net se zgjedhjet, si zgjidhje e ngërçit politik, janë domosdoshmëri politike për ecjen përpara të proceseve. Ai thotë se si opozitë kanë siguruar vota, por po presin edhe 4 ose 5 të tjera për ta rrëzuar Qeverinë.

“Të kesh 56 deputetë për rrëzim të Qeverisë, nuk është bllokim i proceseve, por të qeverisësh pa 61 deputetë e të insistosh e të pretendosh edhe me më pak se 50 deputetë të udhëheqësh Qeverinë është papërgjegjshmëri e lakmi e ulët për pushtet”, tha ai.

Avdyli thotë se kjo qeveri ka rënë nga pranvera, por po vazhdon punën jashtë çdo norme të republikave parlamentare.

“Kjo flet shumë për moralin e kësaj klase politike në pushtet, e cila aty s’është për interes të vendit, por për përmbushjen e objektivave korruptuese të grupeve, klaneve familjare e partiake. Kur ia shtojmë edhe kontradiktat brenda PAN-it,mund të thuhet që kjo qeveri s’ka unitet qeverisës as për 39 deputetë të tyre. Por shtrohet pyetja pse s’po i rrëzojmë ne? Meqenëse ata nuk e rrëzojnë veten, sepse i bashkon interesi i zhvatjes klanore atëherë janë disa rrugë për t’i siguruar 4 a 5 vota”, thotë tutje Avdyli.

Përmes Srpskas, thotë deputeti i LDK-së, ka rrezik kushtëzimi i interesave të vendit dhe duhet leje nga partneri i Hashim Thaçit, Aleksandar Vuçiq, i cili edhe mund të bëjë lojëra dhe potencialisht e dështon këtë iniciativë.

Avdyli thotë se përmes Nismës Socialdemokrate s’ka vullnet bindës sepse, sipas tij, interesi i tyre është të vazhdojë kjo katrahurë qeveritare ku edhe grupi tyre është i përfshirë në disa dikastere të rëndësishme.

“Faktori PSD në këtë rrëzim është akoma i paqartë nëse janë me opozitën për koordinim të hapave apo deputetë rezervë për pozitën për t’ia bërë numrat sa herë ata mbesin keq. Këta 2 muaj të fundit edhe pse deklarativisht PSD-ja s’janë në koalicion të hapur me PAN-in, u pa që ata në Kuvend janë më besnikë se vetë deputetët e PAN-it për të nxjerrë këtë pakicë nga bllokada e vendimeve të kësaj qeverie të pakicës. Prandaj mocioni ka pasiguri dhe dështimi i saj falë Srpskas apo PSD-së që ia zgjat jetën 6 muaj kësaj qeverie pa mundur për të ngritur mocion të ri”, thotë Avdyli tutje, duke shtuar se LDK-ja ishte dhe mbetet për koordinim opozitar.

“Rrëzimi i kësaj qeverie dhe formimi i një qeverie të re të shumicës shqiptare pa PDK-në, është më shumë se interes partiak, por interes i ecjes së vendit drejt zhvillimit ekonomik e integrimit dhe kthimit të shpresës e besimit të qytetarëve në politikanët e ndershëm që përfaqësojnë vullnetin real të votës së tyre”, përfundon ai.

Por nga PSD-ja e thonë të kundërtën. Ata shprehen të bindur se janë e vetmja parti opozitare që punon unanimisht për sa i përket interesimit për të rrëzuar Qeverinë.

Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, tha për Koha.net se si grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, po përpiqet t’ia fshehë opinionit publik paaftësinë e saj për ta bashkuar opozitën dhe për ta rrëzuar Qeverinë.

“Deri më sot, ne jemi të vetmit që i kemi dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë. LDK-ja nuk e ka bërë ende. Kemi shprehur publikisht në vazhdimësi gatishmërinë dhe vullnetin tonë për ta ndërtuar bashkë me LDK-në, dhe me strukturat e tjera opozitare në Kosovë, një strategji të përbashkët për rrëzimin e Qeverisë. LDK-ja nuk e ka iniciuar deri sot asnjë takim të tillë, por përpiqet duke sulmuar politikisht ta shmangë vëmendjen e opinionit publik dhe mediatik nga paaftësia e saj për ta përqendruar tek të tjerët. Kjo strategji e njohur është edhe e dobët, edhe e dëmshme”, tha Kuçi.

PSD-ja thotë se kjo qeveri mund të rrëzohet nga opozita vetëm si e bashkuar.

“Veprimi opozitar pa strategji të përbashkët dhe pa bashkërendim, është joserioz dhe për poenë të lirë politikë. Ne kemi dhënë nënshkrimet për mocionin e mosbesimit dhe do ta votojmë shkarkimin e Qeverisë aktuale kurdo që mocioni paraqitet në Kuvend, përpos nëse orkestruesi dhe përcaktuesi është Lista Srpska e teledirigjuar nga Beogradi”, thotë tutje Kuçi për Koha.net.

E akuzave të LDK-së, se kjo parti po përkrah PAN-in dhe Qeverinë po e mban në pushtet, PSD-ja u thotë “Le ta shikojnë arkivin e Kuvendit të Republikës ditën e votimit të Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit të Republikës dhe të Hashim Thaçit për president. Mos tjetër, mbase shihet se si flasin, veprojnë dhe votojnë deputetët e sotëm të LDK-së, e si sulmohen, keqtrajtohen dhe burgosen deputetët e sotëm të Partisë Socialdemokrate”.

Xhelal Sveçla, anëtari i Kryesisë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Koha.net se vendi patjetër duhet të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se njëri nga dëmet më të mëdha të kësaj qeverie është kalimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, që ia humb vendit 8.200 hektarë. “Edhe pse për këtë marrëveshje na është thënë se e lë të hapur mundësinë e korrigjimit, kanë kaluar shtatë muaj nga ratifikimi dhe ende nuk ka asnjë hap drejt korrigjimit. Por edhe në fushat e tjera Qeveria Haradinaj ka qenë qeverisje e skandaleve. Prej kontratës së dëmshme me “Contour Global”, faljes së 53 milionë eurove për “Bechtel-Enkan”, deportimit të shtetasve turq, kërcënimit të prokurorit Blakaj, dallaveret me tokat në Hade e Shipitullë e deri te pushimet luksoze të kryeministrit, të gjitha këto skandale flasin shumë më shumë për nevojën që kjo qeveri të shkojë në shtëpi sa më shpejt”, thotë Sveçla.

Përveç skandaleve dhe punëve të mbrapshta, thekson deputeti Sveçla, kjo qeveri e pakicës nuk i ka numrat e nevojshëm për të kaluar qoftë edhe ligjet që kalohen me shumicë të thjeshtë parlamentare.

“Pra, në njërën anë kemi degradimin e buxhetit të shtetit, zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve, ndërsa në anën tjetër kemi ngecjen e Kuvendit ku mazhoranca nuk mund ta dëshmojë më se është e tillë. Opozita aktualisht i ka në dispozicion 57 nënshkrime, ndërkohë që jemi në pritje edhe të numrave të nevojshëm për t’u bërë 61 dhe për ta hedhur në votim mocionin e mosbesimit”, thotë tutje ai.

Sveçla shton se për nevojën që sa më parë të shkohet në zgjedhje kanë mbajtur edhe disa takime me udhëheqës të LDK-së, ku edhe është qartësuar angazhimi konkret drejt mocionit.

“Tani situata është e qartë. Pa u bërë numrat e nevojshëm nuk ka arsye për të shpallur e rishpallur vullnetin për të rrëzuar Qeverinë. Duhet së bashku si opozitë të sigurojmë këto vota nga deputetët e ndërgjegjshëm që vlerësojnë se kjo qeveri duhet të bjerë dhe kështu të ecim tutje. Të gjitha veprimet e opozitës, jo vetëm ato deklarative, duhet të jenë në drejtim të rrëzimit të kësaj qeverie të dëmshme”, përfundoi përgjigjen Avdyli dhënë portalit Koha.net.

Qeveria e sigurt: Veç Veseli, Haradinaj e Limaj e çojnë vendin në zgjedhje

Por krejt ndryshe thonë nga Qeveria.

Avni Arifi, që është shef i stafit në Zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Koha.net se opozita s’do të quhej e tillë sikur të mos kishte kërkesa të tilla.

“Qeveria e çon mandatin deri në fund, veç nëse partitë në koalicionin qeverisës bëjnë ndonjë veprim ndaj kërkesave të përbashkëta. Por individë të tillë nuk ka. Asnjë indikator në partitë në pushtet nuk ekziston”, tha ai.

Ai theksoi se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse do Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj, jo opozita.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, për Koha.net dha mendime se opozita ende s’është serioze në interesimin për ta rrëzuar Qeverinë, pasi s’ka asnjë veprim konkret.

“Ndonëse e brishtë dhe me shumë probleme të brendshme, Qeveria Haradinaj vazhdon të funksionojë pa u trazuar nga opozita joharmonike, e cila nuk ka vullnet për veprime domethënëse, strategji konkrete dhe guxim vendimmarrës”, thotë Muhaxhiri.

Ai theksoi se mbështetja e idesë për rrëzimin e koalicionit qeveritar vetëm në deklarata të thjeshta monotone, pa koordinim të qëndrueshëm programor, e zbeh skajshmërisht atë.

“Për fatin e keq të qytetarëve kosovarë, përveç Qeverisë së çakorduar edhe opozita është e tillë. LDK-ja e dëmton besueshmërinë e imazhit të saj opozitar për shkak të shpeshtësisë së ‘paralajmërimeve të hershme’ për rrëzim të Qeverisë. Serioziteti i kërcënimeve politike vlerësohet nga baza faktike e argumenteve dhe planifikimeve, prandaj qasja e këtillë formale ka gjasa t’i kthehet bumerang LDK-së dhe ajo ta gjejë veten nën presion të opinionit publik”, shton ai për Koha.net.

Muhaxhiri thotë se është gabim i madh konceptual që artificialisht të rriten pritshmëritë e qytetarëve për ndryshime politike, ndërkohë që në realitet nuk është duke u punuar në përmbushjen e parakushteve elementare për një proces të tillë.

“Kjo metodë sjell zhgënjim dhe shndërrohet në pengesë për mobilizim të elektoratit. Përgjithësisht, deputetët e koalicionit qeverisës kanë dëshmuar probleme të theksuara me integritet moral në raport me qytetarët, por edhe ndaj punës së bashkëpartiakëve të tyre në Qeveri, madje shpesh duke mos i kryer as obligimet minimale për të cilat marrin rrogë”, thotë ai.

thekson analisti Muhaxhiri, është gati e pabesueshme që atyre përnjëherë t’u gjallërohet delli etik i konstruktivitetit dhe ta ndërmarrin një veprim kaq parimor, siç është shkuarja në zgjedhje të reja, nga i cili potencialisht mund të kenë pasoja për vete, por edhe për partitë respektive.

“Vështirësitë e mëdha në krijimin e koalicionit aktual qeverisës janë përkujtues brengosës për telashet që i presin në fushatën e ardhshme zgjedhore. Për këtë arsye, vetëm ndonjë aranzhim me parti opozitare për bashkëpunim paszgjedhor mund t’i shtyjë deputetët e pozitës ta votojnë mocionin e mosbesimit. Aktualisht, opozita ofron vetëm diskurs sipërfaqësor dhe protagonizëm medial. Mungon kimia bashkëpunuese, nuk ka indikacione për ndonjë iniciativë substanciale dhe platformë të qëndrueshme me të cilën do të sfidohej ky koalicion qeveritar jashtëzakonisht i cenueshëm”, thotë ndër të tjera Muhaxhiri.

beson se është evidente mosprezenca e dëshirës dhe planit për ta ndërmarrë ndonjë hap më kuptimplotë efektiv, kështu që kërkesat opozitare për zgjedhje të reja shndërrohen në rutinë të automatizuar dhe rezultojnë me indiferencë publike.

“Zgjedhje të parakohshme në këtë periudhë mund të ketë nëse, mes tjerash, plotësohen dy kushte – sigurimi i pajtueshmërisë nga faktori ndërkombëtar (SHBA dhe BE), si dhe ofrimi i garancive për formim të shpejtë të Qeverisë së ardhshme, që nënkupton një koalicion parazgjedhor bindës. Intensifikimi i angazhimeve ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar në ngushtimin e hapësirës për eksperimentime vendore politike, ashtu siç ka ndodhur pas dy proceseve të kaluara zgjedhore”, thotë analisti Muhaxhiri për Koha.net.

Sipas tij, vetëm një rotacion i shpejtë i pushtetit, me të cilin nuk do trazohej ecuria e projekteve gjeopolitike dhe gjeostrategjike, që e përfshijnë edhe Kosovën – mund të merret në konsideratë si alternativë ndaj situatës së tashme.

Kërkesa e opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje të reja e të rrëzohet Qeveria Haradinaj, kishte nisur qysh në fillim të këtij viti, ani pse ende s’ka ndonjë veprim konkret deri tani.

Qeveria në krye me Ramush Haradinajn ka shënuar mbi 400 ditë të mandatit qeverisës. Ani pse kohë pas kohe opozita ia kujton skandalet, Haradinaj është i bindur se do ta çojë mandatin deri në fund./F.Shkodra

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Konkurs për gazetarë dhe praktikantë
artikull i sponzorizuar


Opozita e çakorduar e lë në pushtet Qeverinë e pafuqi Haradinaj

Opozita e çakorduar e lë në pushtet Qeverinë e pafuqi Haradinaj

Sipas Balajt, Telekomi ka vlerë mbi 500 milionë euro

Sipas Balajt, Telekomi ka vlerë mbi 500 milionë euro

Kadriu: Lugina s’i beson idesë së Thaçit për kufijtë

Kadriu: Lugina s’i beson idesë së Thaçit për kufijtë

Lumezi i del në mbrojtje haverit të tij, Shpend Maxhunit, për skandalin me djalë

Lumezi i del në mbrojtje haverit të tij, Shpend Maxhunit, për skandalin me djalë

Ambasadori britanik: Vëllezërit e politikanëve në Kosovë, më të pasur se vetë ata

Ambasadori britanik: Vëllezërit e politikanëve në Kosovë, më të pasur se vetë ata

Capussela lidh idenë e Thaçit për kufijtë me Gjykatën Speciale

Capussela lidh idenë e Thaçit për kufijtë me Gjykatën Speciale

Kosovës s’i bëjnë përshtypje pengesat e Serbisë në rrugën drejt Interpol’it

Kosovës s’i bëjnë përshtypje pengesat e Serbisë në rrugën drejt Interpol’it

Aktakuzë për vrasjen e rëndë në Bresalc të Gjilanit

Aktakuzë për vrasjen e rëndë në Bresalc të Gjilanit

Detaje të reja, pse Gani Thaçi i rrahu zyrtarët e Byrosë Kosovare të Sigurimeve

Detaje të reja, pse Gani Thaçi i rrahu zyrtarët e Byrosë Kosovare të Sigurimeve

Apostulli Pal, çfarë mesazhe i dërgoi Thaçi Haradinajt nëpërmjet Lekajt

Apostulli Pal, çfarë mesazhe i dërgoi Thaçi Haradinajt nëpërmjet Lekajt

Ekskluzive: Gjatë incidentit të Gani Thaçit audio-incizimi u ndërpre

Ekskluzive: Gjatë incidentit të Gani Thaçit audio-incizimi u ndërpre

Beogradi u kërkon vendeve kontribuuese të KFOR-it të hapin arkivat për krimet e shqiptarëve

Beogradi u kërkon vendeve kontribuuese të KFOR-it të hapin arkivat për krimet e shqiptarëve

Ana tjetër e medaljes| Kush është Blerim Pushkolli, që hëngri dajak nga vëllai i Presidentit? (Dokument)

Ana tjetër e medaljes| Kush është Blerim Pushkolli, që hëngri dajak nga vëllai i Presidentit? (Dokument)

Ngritja e kapaciteteve për të luftuar kancerin është e domosdoshme

Ngritja e kapaciteteve për të luftuar kancerin është e domosdoshme

Votohet ligji kundër kumarit. Zbulohen mesazhet kërcënuese

Votohet ligji kundër kumarit. Zbulohen mesazhet kërcënuese

Nëse pagat do të ishin 600-800 euro, shumë të rinj s’do të largoheshin nga Kosova

Nëse pagat do të ishin 600-800 euro, shumë të rinj s’do të largoheshin nga Kosova