Opozita behët gati për Prizrenin. Kush mund të jetë kandidatit i përbashkët i tyre për kryetar?

E publikuar: 23/03/2015 16:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy partitë e koalicionit- LDK dhe PDK mund të kenë punën “pick” në garën e mundshme për kryetar të Komunës në Prizren. Rreziku ndaj këtyre dy partive, që sot mund të shihen si favorite për të udhëhequr qytetin vjen nga iniciativa e partive opozitare që atje të garojnë me një kandidatë të përbashkët.

Qyteti i Prizrenit mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të qytetit, nëse Gjykata e Apelit konfirmon shkeljen e ligjit dhe dënimin e kryetarit aktual Ramadan Muja.

Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma që një kohë të gjatë janë në bisedime për të garuar me një kandidatë të përbashkët në Prizren dhe në gjetjen e një emri i cili do të siguronte hyrjen në balotazh e më pas edhe fitoren e mundshme të tyre, thonë burime nga të tri partitë opozitare që janë konsultuar nga Gazeta Blic.

Sipas këtyre burimeve, një marrëveshje në parim për kandidaidatur të përbashket mes tri partive tashmë ekziston, ndërsa që puna është duke u koordinuar për të gjetur një emër të ri i cili mund të fitonte votat e qytetarëve të Prizrenit.

Gazeta Blic ka mësuar disa nga emrat- por ato nuk do ti përmendim për të ruajtur konfidencialitetin e personave meqenëse nuk ka ende një pajtim. Opozita është duke kërkuar dhe duke biseduar kryesisht me persona me peshë që vijnë nga shoqëria civile aktive në Prizren si dhe persona që kanë qenë të përfshirë apo udhëhequr Festivalin e filmit “Dokufest”, por më përgatitje profesionale jashtë fushës së arteve.

Nga një kandidat i përbashkët i opozitës më së shumti do të rrezikonte LDK-në. Sipas burime të Gazeta Blic në kryesinë e LDK-së, kjo parti pritet që në garën e mundshme për kryetar të Prizrenit të garoj me Haxhi Avdylin, që së fundmi u zgjodh edhe kryetar i degës atje.

Avdyli është një kuadër i ri dhe i respektuar në qytetin e Prizrenit, por kjo nuk është garanci se ai mund të fitoj zgjedhjet e atjeshme edhe për shkak të përçarjeve të brendshme në parti.

Të kujtojmë në zgjedhjet e fundit lokale kandidati i LDK-së, Eqrem Kryeziu pat pësuar debakël në balotazh nga PDK- ja dhe kandidati i saj nën akuzë gjyqësore Ramadan Muja./Gazeta Blic/