Opinioni i Venecias mund t’i ofrojë parimet udhëheqëse rreth kontestit për mandatarin

E publikuar: 04/05/2020 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni i Venecias mund t’i ofrojë vetëm parimet udhëheqëse në zgjidhjen e kontestit që ndërlidhet me çështjen e mandatarit të qeverisë së re.

Përveç kontestimit të dekretit të presidentit në Gjykatën Kushtetuese, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i ka dërguar kërkesë për opinion edhe Komisionit të Venecias nëse veprimet e Presidentit për mandatarin bien ndesh me aktin më të lartë juridik.

Kurti pretendon se presidenti Thaçi i tejkaloi kompetencat, duke e shmangur partinë fituese në mësymjen e tij që mandatarin t’ia kalojë partisë së dytë. Kjo është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese.

Edhe pse opinioni i këtij Komisioni nuk krijon obligime ligjore, zyrtarë të qeverisë kanë treguar qëllimin që synohet të mbërrihet me kërkesën e parashtruar. Furtuna Sheremeti, këshilltare ligjore e kryeministrit në detyrë, ka thënë se opinioni i Komisionit mund të ndihmojë në përafrimin dhe sqarimin e interpretimeve aktuale. Sipas saj, Kërkesa në Komisionin e Venecies është dërguar konkretisht për të kërkuar sqarime në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, transmeton KOHA.

“Ne kemi shtruar katër pyetje para Komisionit, ku kemi kërkuar sqarim se a kanë qenë veprimet e Presidentit në linjë me Kushtetutën. Një prej pyetjeve që kemi shtruar për shembull ka të bëjë me afatin që Presidenti ka vendosur në mënyrë arbitrare në raport me pritjen e përgjigjes nga partia fituese”, ka thënë Sheremeti për gazetën. Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, sipas Sheremetit, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.

“Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës. Kështu që pak a shumë, qëllimi ynë është që thjesht të arrijmë të mbyllim hendekun që ekziston në mes të interpretimeve të kundërta që mbizotërojnë aktualisht në skenën tonë jo vetëm politike – por edhe juridike”, ka theksuar këshilltarja e kryeministrit.

“Një opinion nga Komisioni i Venecies, përkundër faktit që nuk krijon obligime ligjore, prapëseprapë konsiderojmë që mund të ndihmojë në përafrimin dhe sqarimin e interpretimeve aktuale”.

Loxha: Komisioni mund të ndihmojë nëse e kërkon Gjykata Kushtetuese

Arbresha Loxha, Drejtoreshë Ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) vlerëson se Komisioni i Venecias nuk do të pranojë të përgjigjet në çështjet që potencialisht përbëjnë rast për Gjykatën Kushtetuese.

“Komisioni i Venecias (KV) zakonisht kur i dërgohen pyetje nga qeveritë ose parlamenti, përgjigjet në çështjet parimore që lidhen me funksionimin demokratik të shtetit dhe jo në ato që kontestimi ka të bëjë me elemente detajore, të tilla çfarë zakonisht janë të përshtatshme për zgjidhje gjyqësore”, ka thënë Loxha për “Kohën Ditore”.

Sipas saj, edhe në rastin konkret, ku qeveria në detyrë i është drejtuar, Komisioni i Venecias nuk do të pranojë të përgjigjet në ato gjëra që potencialisht janë rast gjyqësor për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.