Operohet Milik, optimizëm për kohën e rikuperimit

E publikuar: 10/10/2016 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfundon me sukses ndërhyrja kirurgjikale në gjurin e Arkadiusz Milik, i dëmtuar me kombëtaren polake në sfidën me Danimarkën të shtunën e kaluar. Mjekëve specialistë iu deshën rreth 40 minuta kohë për të qepur ligamentin e gjurit të majtë, por në fund të gjithë ishin të lumtur për mbarëvajtjen e operacionit. Tashmë sulmuesi i Napolit nis fazën e rehabilitimit, për t’iu kthyer fushave të blerta në fillim të 2017-ës.

Pas një dëmtimi të tillë lojtarëve u duhet zakonisht 5-6 muaj për të qenë gati për ndeshjet zyrtare, por stafi mjekësor i Napolit është optimist për kapërcimin e etapave. Në fillim u dyshua se në gjurin e polakut do të kishte dëmtime të tjera përvec ligamentit krucial të brendshëm, por gjatë ndërhyrjes u pa qartë se gjithcka tjetër ishte ok. Milik pritet të nisë vrapimin në muajin janar, ndërsa koha e aktivizimit në ndeshjet zyrtare do të varet nga reagimi i gjurit të tij. Drejtuesit e Napolit do të vlerësojnë nëse duhet të afrojnë një sulmues atkualisht pa kontratë apo do t’i besojnë Gabiadinit dhe ndonjë alternative taktike derisa të hapet merkatoja e janarit.