OKB: Tensionet në gadishullin korean të zgjidhen paqësisht

E publikuar: 10/12/2017 20:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kombet e Bashkuara thonë se është thelbësore që të zgjidhen paqësisht tensionet në gadishullin korean.

Jeffrey Feltman, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështje politike vizitoi Korenë e Veriut këtë javë dhe mbajti takime me Ministrin dhe zv/ministrin e jashtëm të vendit.

Media shtetërore koreano-veriore tha se të dyja palët ranë dakord që të komunikojnë rregullisht.

Agjencia shtetërore koreano-veriore e lajmeve, KCNA tha se ky zhvillim i fundit ishte rezultat i vizitës së zotit Feltman.

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara tha se tre diplomatët “shkëmbyen pikëpamjet për gadishullin korean dhe ranë dakord se gjendja ektuale ishte çështja më e tensionuar dhe e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në botë sot”.

Vizita e zotit Feltman erdhi menjëherë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut filluan stërvitjen e përbashkët të përvitshme ushtarake, më e madhja e këtij lloji.