OKB: Pheniani shkel sanksionet

E publikuar: 04/02/2018 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koreja e Veriut siguroi rreth 200 milionë dollarë në vetëm nëntë muaj, vitin e kaluar duke eksportuar mallra të ndaluar, në shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Një grup ekspertëve paraqiti një raport në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të premten, duke dhënë hollësi për shkeljen e sanksioneve nga Pheniani duke eksportuar naftë, qymyr, hekur, çelik dhe mallra të tjerë.

Raporti gjithashtu detajon dëshmi për bashkëpunimin e vazhdueshëm ushtarak të Koresë së Veriut me Sirinë dhe Mianmarin për të zhvilluar programe raketash balistike dhe armë kimike.

Koreja e Veriut përdorte “një kombinim të teknikave të shumta të evazionit dhe taktikave mashtruese për të çuar dërgesa të qymyrit në Kinë, Malajzi, Korenë e Jugut, Rusi dhe Vietnam”, thuhet në raport.

Raporti thotë se Koreja e Veriut është ende në gjendje të hyjë në sistemin financiar ndërkombëtar përmes “praktikave mashtruese të kombinuara me mangësi kritike në zbatimin e sanksioneve financiare”.

Ekspertët thanë se Koreja e Veriut vazhdon të angazhohet në “marrëveshjet e zakonshme të armëve konvencionale dhe operacionet kibernetike për të vjedhur sekretet ushtarake”.

Përveç OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Phenianit mbi programet e saj bërthamore dhe balistike.